Nuk ka blerës për “shtëpinë e Harry Potter”/ Pronarët: Ndihemi si të mallkuar!

29/12/2019 15:33

Pronarët e shtëpisë së përdorur për të realizuar xhirimet e njërit prej filmave të sagës së Harry Potterit, po ndeshen me një situatë të pazakontë: ata janë përpjekur prej disa kohësh që ta shesin, por nuk gjejnë dot një blerës!

Nisur nga ky fakt, kanë ulur ndjeshëm dhe çmimin e banesës, por pa sukses. Për gati dy vjet e gjysmë, godina e shekullit të 15-të është në treg me një çmim të reduktuar në 950 mijë paundë, por sërish, askush nuk ofrohet ta blejë.

Pronarët thonë se ndihen si “të mallkuar”. Bëhet fjalë për shtëpinë ku sipas filmit, Lord Voldemorti ka vrarë prindërit e djaloshit magjistar.

Veç hallit të “mallkimit”, çdo pronari të ri do t`i duhet sidoqoftë të përballet edhe me turmat e turistëve që grumbullohen përpara shtëpisë për të bërë selfie. Fansat e filmit e vizitojnë rregullisht fshatin e qetë të Lavenhamit në Suffolk, i cili ka edhe 300 ndërtesa të tjera të listuara për shitje.

Ndërkohë pronarët e asaj që njihet si “shtëpia e Harry Potterit”, nuk përfituan nga fakti që godina shfaqej në kartolinat e shitura me pamjen e saj në 2010-tën, pasi ekipet që realizuan fotot, nuk kishin nevojë për leje për të xhiruar pjesën e jashtme të ndërtesës.

E ndërsa adhuruesit e Harry-t vazhdojnë t`i vizitojnë pa reshtur, për momentin, çiftit të pronarëve nuk po u troket në derë asnjë blerës potencial.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA