Më shumë se 235.000 njerëz kanë ikur nga shtëpitë e tyre në provincën Idlib të Sirisë, thonë Kombet e Bashkuara, derisa forcat qeveritare kanë intensifikuar ofensivën e tyre në këtë zonë.
Eksodi ndodhi midis 12 dhe 25 dhjetorit.
Idlib në veri-perëndim të Sirisë është rajoni i fundit i madh i mbajtur nga rebelët që kundërshtojnë presidentin Bashar al-Asad.
Qeveria Siriane e mbështetur nga Rusia e ka bombarduar Idlibin që nga fundi i nëntorit.
Një rritje e sulmeve ajrore dhe luftimeve tokësore që nga mesi i dhjetorit ka përshpejtuar zhvendosjen civile nga zona, tha agjencia humanitare e Kombeve të Bashkuara, në një raport.
Dhjetëra mijëra familje – përfshirë disa të zhvendosur tashmë disa herë gjatë luftës civile – janë duke shkuar në veri me kamionë dhe makina private.
Ofensiva qeveritare e ka lënë qytetin Maarat al-Numan dhe rajonin e afërt në Idlibin jugor “pothuajse bosh”, tha agjencia.
Shumica e civilëve të zhvendosur janë duke lëvizur në qytete dhe kampe refugjatësh në zonat veriore të Idlib dhe provincën fqinje Alepo.
Të enjten, presidenti amerikan, Donald Trump ka paralajmëruar Rusinë, Sirinë dhe Iranin kundër vrasjeve të civilëve në provincën Idlib të Sirisë dhe ka thënë se Turqia është duke punuar shumë që të ndalë “masakrën”.
“Rusia, Siria dhe Irani janë duke vrarë ose janë në drejtim të vrasjes së mijëra civilëve të pafajshëm në provincën Idlib. Mos e bëni këtë! Turqia është duke punuar shumë për të ndalur këtë masakër”, ka thënë Trump në një postim në rrjetin social, Twitter./REL
Top Channel