Në varkë është nxjerrë nga uji në brigjet e Japonisë, dhe dukej jashtë kontrollit dhe tepër e dëmtuar.
Pasi ndaloi në brigjet e ishullit japonez, Sado, autoritetet vunë re se në anë të anijes ishin shkruar shkronja në gjuhën koreane.
Policia gjeti brenda pesë kufoma dhe dy koka, për të cilat nuk mund të thoshte ende nëse i përkisnin trupave të tjerë, të cilët ishin pothuajse skelet.
Ajo që dihet me siguri, është që varka me viktimat brenda është endur në det për një kohë shumë të gjatë.
Kjo nuk është hera e parë që në brigjet e Japonisë dalin anije me kufoma brenda. Shumë mendojnë se këto varka e kanë origjinën nga Koreja e Veriut. Ato kanë vite që vijnë rregullisht. Në vitin 2017 u gjetën 44 të tilla. Në vitin 2016, 66. Në vitin 2018 kanë qenë në nivel rekord: 89 varka, 12 prej të cilave kishin trupa të vdekur brenda. Të gjitha përplasen në brigjet japoneze që ndodhen përballë gadishullit korean.
Analistët mendojnë se disa nga varkat mund të jenë përdorur nga refugjatë. Ata mund të kenë dashur të largohen nga Koreja e Veriut, për shkak të kushteve të këqija. Një tjetër teori është se vijnë nga peshkatarët e vendit të izoluar, të cilët përpiqen fort të plotësojnë kuotat e peshkimit.
Mendohet se peshkatarët atje kanë shumë presion nga regjimi i Kim Jong Un-it, i cili kërkon të maksimalizohet burimi i proteinave ushqimore.
Top Channel