Kërcejtë e njomë të luleve të hudhrës janë një pjesë mjaft e këndshme e gjithë bimës që shërbejnë jo vetëm për zbukurim të buqetave të ndryshme por edhe për receta të ndryshme gatimi. Shija e tyre ashtu siç mund ta kuptoni nga emri është e njëjtë me hudhrën. Nëse këta kërcej i prisni kur janë të njomë dhe të butë mund t’i përfshini në sallata ose në salca në të njëjtën mënyrë si barishtet e qepëve të njoma.
Këta kërcej shiten në tufa në shumë prej tregjeve të fshatarëve në Tiranë dhe qytete të ndryshme. Kërcejtë e njomë të luleve të hudhrës kanë një shije të brishtë të hudhrës dhe mund të përfshihen në çdo recetë që kërkon qepë ose hudhër të njomë apo të thatë. Këto barishte janë më të shkëlqyerat për organizmin por thuajse të panjohura për konsumatorët, të cilët në shumicën e rasteve i hedhin tutje.
Diçka e tillë ndodh pasi këta kërcej të shijshëm ndërpresin aftësitë e të gjithë bimës për rritjen dhe zhvillimin thelbinjve të hudhrës. Por ekspertët besojnë fort se kërcenjtë e hudhrës meritojnë të vlerësohen falë avantazheve të tyre shëndetsore të cilat do t’i lexoni më poshtë.
Vlerat shëndetsore
Oksigjeni në gjak
Disa prej përbërësve të hudhrës akumulohen nëpër këta kërcej dhe kanë aftësinë të rioksigjenojnë gjakun dhe të ruajnë shëndetin e indeve dhe organeve.
Mbrojnë mëlçinë dhe veshkat
Kërcejtë e njomë të luleve të hudhrës mbrojnë mëlçinë dhe veshkat nga stresi oksidues që ndodh nëpërmjet funksioneve normale të metabolizmit.
Kundër osteoartritit
Kërcejtë e njomë të luleve të hudhrës përmbajnë shumë substanca aktive që parandalojnë enzimat e trupit që shpërbëjnë indet e gjymtyrëve. Me kalimin e moshës, këto substanca aktive janë thelbësore për parandalimin e frakturave dhe osteoartritit.
Përzgjedhja
Kërcejtë e njomë të luleve të hudhrës duhet të jenë të freskët, të gjelbër, të përdredhur por pa njolla të tjera. Me humbjen e freskisë, kërcejtë e njomë të luleve të hudhrës humbin fleksibilitetin e tyre dhe forcohen duke marrë një shije më pikante.
Përgatitja
Lajini mirë me ujë të bollshëm dhe prijini në copa të vogla për t’i përfshirë në sallata. Ju mund t’i kombinoni me krem djathi ose majonezë për një salcë të shijshme. Me to mund të përgatisni një pure të shijshme me djathë të verdhë, vaj ulliri dhe kripë.
Gatimi
Kërcejtë e njomë të luleve të hudhrës mund të piqen, zihen, gatuhen me avull, kavërdisen ose përgatiten në zgarë. Mund t’i përfshini në supa, omletë ose në panine. Nëse preferoni gatimet e thjeshta mund t’i kombinoni me vaj ulliri, kripë dhe piper./AgroWeb
Top Channel