“Sa i përket reformës në drejtësi, mendoj që periudha tranzitore ka zgjatur më tepër se ç’duhet.” Ky ishte konstatimi i ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, gjatë fjalës që mbajti në takimin e zhvilluar me gazetarët që mbulojnë fushën e drejtësisë në Shqipëri.

Gjithsesi, Gjonaj theksoi se viti 2019-të shënoi dy rezultate të rëndësishme, siç ishte ngritja e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK) dhe zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm.

“Ministria e Drejtësisë ka nisur reforma për të cilat presim rezultate për vitin 2020”, shtoi Gjonaj.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha raporton se, ministrja Gjonaj preku edhe çështjen e Gjykatës së Lartë, institucion thelbësor për sistemin, por që nuk funksionon prej kohësh. Sipas ministres, kjo gjykatë do të jetë gati në fillim të vitit 2020.

“Ka ende punë, presim ngritjen e Gjykatës së Lartë, ky proces është vonuar pak edhe për shkak të kompleksitetit dhe kontrollit të kandidatëve. Fillimi i 2020 do na gjejë me Gjykatë të Lartë, dhe kjo do ulë stokun e dosjeve. Lidhur me SPAK , periudha tranzitore ka vështirësitë e veta, por besoj si Prokurori i Përgjithshëm dhe kreu i SPAK po marrin masa sa i takon transferimit të dosjeve në kohë”, u shpreh ministrja.

Përsa i takon Gjykatës Kushtetuese, Etilda Gjonaj tha se pret që Kuvendi t’i çojë shumë shpejt Komisionit të Venecias pyetjet mbi veprimet e Presidentit të Republikës dhe ngërçit që u krijua midis KED, Presidencës dhe Parlamentit.

“Duke shprehur që kjo gjë të zgjidhet, që Gjykata Kushtetuese të funksionojë sa më shpejt”, shtoi ministrja.

Gjonaj njoftoi edhe nisjen e takimve institucionale gjatë 2020-ës, në bashkëpunim me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, për të realizuar koordinimin e institucioneve të reja të drejtësisë.

Ministrja deklaroi se ndodhen në fazën finale të ngritjes së qendrës për parandalimin e krimeve tek të miturit.

“Po insistojmë fort për një institut jashtë sistemit të burgjeve, me qellim që këta të miturt ndjekin shkollën dhe t’ju ofrohet trajtim psiko-social”, tha Gjonaj.

Ministrja paralajmëroi edhe ndërhyrje në Kodin Penal.

“Na kanë ardhur shqetësime nga Prokuroria për trajtimin e disa veprave panele, dhe mendojmë se do të rishikojmë sërish Kodin Penal. Duhet të rishikojmë gjithashtu edhe veprat e reja penale që duhet të përfshihen në Kodin Penal”, tha Gjonaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA