Dy punonjës policie, të dyshuar si të implikuar në kontrabandë me mallra në P.K.K. e Gorricës janë ndaluar nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA).
Të dyshuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, me doganierë, por dhe me disa shtetas, në keqpërdorim të atributeve që u jepte detyra në P.K.K. Gorricë, lejonin e favorizonin futjen e automjeteve me mallra kontrabandë ose mallra, të cilat nuk lejohen të futen në Shqipëri, në këmbim të përfitimeve monetare.
Njoftim/ Korçë
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në vijim të hetimeve për procedimin penal për kalim të mallrave kontrabandë në Pikën Kufitare të Gorricës, ekzekutoi vendimet penale me masa sigurimi personal “Arrest me burg” për punonjësit e policisë:
– Inspektor V.Ç., me detyrë ndihmës specialist/kontrollor në P.K.K-Gorricë;
– Inspektor V.D., me detyrë ndihmës specialist/kontrollor në P.K.K-Gorricë.
Në vijim të operacionit të datës 7 dhjetor 2019, ku u sekuestrua një sasi mallrash kontrabandë dhe u arrestuan në kushtet e flagrancës 3 punonjës policie, efektivë të P.K.K. Gorricë, për veprat penale të “Falsifikimit kompjuterik” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, SHÇBA vijoi hetimet dhe rezulton e provuar se kjo veprimtari e kundra-ligjshme funksiononte në formën e një mekanizmi të mirë-organizuar.
Të dyshuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, me doganierë, por dhe me disa shtetas, në keqpërdorim të atributeve që u jepte detyra në P.K.K. Gorricë, lejonin e favorizonin futjen e automjeteve me mallra kontrabandë ose mallra, të cilat nuk lejohen të futen në Shqipëri, në këmbim të përfitimeve monetare.
Duke përmbushur rolin e tyre në këtë veprimtari të kundra-ligjshme, dy punonjësit e policisë V.Ç. dhe V.D., në cilësinë e kontrollorëve, regjistronin të dhëna të rreme në sistemin TIMS duke tjetërsuar targën dhe llojin e automjetit. Kjo me qëllim favorizimin e kontrabandës në këmbim të përfitimeve të paligjshme financiare.
Top Channel