Agim Ismaili dhe Etilda Gjonaj

Kërcënimi i drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismaili, ndonëse nuk u përmend specifikisht me emër, u rikthye sot si çështje nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në takimin që zhvilloi me gazetarët.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, raporton se, Gjonaj theksoi në mbledhje se është krijuar një trupë e posaçme speciale e Policisë së Burgjeve që do të shërbejë në kuadër të regjimit 41 Bis për të dënuarit, e cila po mbron edhe drejtuesit e burgjeve.

“Një pjesë prej jush kanë publikuar raste të kërcënimit të drejtuesve të burgjeve, dhe kjo strukturë speciale do t’i mbrojë. Padyshim edhe Policia e Shtetit duhet të ofrojë mbrojtje”, theksoi Gjonaj.

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili, u kërcënua me jetë me anë të një mesazhi në telefonin celular, nga persona ende të paidentifikuar.

Por nuk është vetëm Ismaili që është kërcënuar për shkak të detyrës, por janë edhe dy drejtues të tjerë, të cilët janë marrë në mbrojtje nga kjo strukturë speciale.

“Aktualisht tre drejtues të burgjeve janë marrë në ruajtje nga Policia dhe me urdhrin tim janë vendosur në ruajtje edhe nga struktura e posaçme”, deklaroi ministrja.

Sipas projektligjit të publikuar më shumë se dy muaj më parë nga Top Channel, efektivët e policisë që do të jenë pjesë e strukturës së posaçme jo vetëm do mbikëqyrin të dënuarit e rrezikshëm të organizatave kriminale që do të mbyllen në 41 Bis, por ata do të jenë njësia kompetente që do të ruajnë edhe zyrtarët e burgjeve në rast të kërcënimit të tyre nga anëtarë të grupeve kriminale, që ndërkohë mund të kenë shefat në qeli.

Llogaritet që si fillim në 41 Bis të angazhohen 94 efektivë policie. Siç ka shpjeguar më herët gjatë një interviste për Top Channel, Agim Ismaili, drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, çdo punonjës që do të angazhohet në 41 Bis do t’i nënshtrohet vetting-ut.

Ndërkohë, 110 procedime janë referuar ndaj efektivëve të policisë në burgje, për ngjarje ku ata janë përfshirë. Gjonaj theksoi se Shërbimi i Kontrollit të Burgjeve po kontrollon policët në burgje dhe vetting-u po vazhdon ende. Në çastin që ata janë vendosur nën procedim, ata janë shkarkuar, deklaroi Gjonaj.

  Policë burgjesh të pakorruptuar, Top Channel zbardh projektligjin për strukturën e posaçme që do të ruajë ’41 Bis’

  Reforma në drejtësi/ Etilda Gjonaj: Periudha tranzitore ka zgjatur më tepër se ç’duhet

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA