Denoncimet ndër vite të emisionit investigativ Fiks Fare, për falsifikimin e dokumenteve të truallit të ish-kinema Lushnja, vunë në lëvizje organet e drejtësisë. Pas 26 vitesh pritje, Gjykata e Lushnjes asgjësoi dokumentin e falsifikuar, i cili ndodhej ende në zyrën e Kadastrës Lushnje.
Gjyqtarja e Lushnjes, Zeta Terpollari, ka pranuar kërkesën e qytetarit Sefedin Shefa për të asgjësuar pikërisht këtë dokument që, megjithëse ishte faktuar nga prokuroria se ishte i falsifikuar, përdorej ende për regjistrimin e pronës.
5 muaj më parë, nëpërmjet një investigimi të të gjitha dokumenteve, Fiksi provoi se institucionet shtetërore, dështuan që të asgjësonin këtë dokument, duke e lënë në zyrat e tyre. Për pasojë, qytetari i dëmtuar nuk gëzonte pronën dhe sorollatej për vite me radhë në dyert e institucioneve shtetërore. Dokumentet e publikuara nga Fiksi shkuan në gjykatë. Kjo e fundit i analizoi dhe vendosi asgjësimin e dokumenteve të falsifikuara. Pas këtij vendimi, Sefedin Shefa, falënderoi emisionin Fiks Fare për denoncimin. “Faleminderit Fiks Fare! Pa ndihmën tuaj, nuk do të merrja zgjidhje” tha ai.
Në muajin korrik 2019, Fiks Fare denoncoi veprimet e disa institucioneve shtetërore, të cilat kishin mbyllur “sytë dhe veshët” para falsifikimeve dhe mbivendosjeve për truallin e ish-kinema Lushnjes. Madje, për këtë çështje ka pasur disa hetime, por për zvarritje të pajustifikueshme, çështja është pushuar. Në këto hetime është provuar falsifikimi, por këto dokumente ndodhen sërish në institucionet shtetërore.
Në redaksinë e emisionit Fiks Fare asokohe u ankua Sefedin Shefa, i cili tha se kishte trashëguar një pronë në qendër të Lushnjes. Prona u shtetëzua në kohën e komunizmit dhe në këtë truall u ndërtua Kinema Lushnja. Pas viteve ’90, ish-kinema Lushnja u privatizua dhe iu shit një punonjësi të kinemasë. Familja Shefa bëri padi në gjykatë dhe e fitoi. “Në këto 26 vite, jo vetëm nuk e ka familja ime, por endemi rrugëve nëpër gjykata dhe s’kemi zgjidhur asnjë gjë. Pronën e përdor ai person që e ka blerë” tha ai.
I vetmi institucion që nxori falsifikimet ishte Prokuroria e Lushnjes, e cila provoi se dokumentet janë të falsifikuara, por ndodheshin ende në zyrat e shtetit. Gazetarët e Fiks Fare u interesuan në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës së Lushnjes. Drejtori Shkëlqim Mebelli tha se e gjithë praktika ndodhet në zyrën e Kadastrës, madje edhe dokumenti që është deklaruar i falsifikuar nga Prokuroria e Lushnjes. Fiksi u interesua edhe në Prokurori, nëse ky dokument është asgjësuar apo jo. Në përgjigjen e prokurorisë, sqarohet vetëm se vendimet e pushimit për parashkrimin e veprës penale të falsifikimit të dokumenteve, janë lënë në fuqi nga gjykatat. Por, Fiks Fare kërkoi nëse këto dokumente të falsifikuara janë asgjësuar apo jo. Prokuroria thotë se përgjigjet e pyetjeve i gjeni në vendimet e gjykatave dhe aktet e dosjes. Në asnjë dokument, nuk thuhet se këto akte të falsifikuara të jenë asgjësuar.
Hetimet e prokurorisë kanë filluar që në vitin 2010 dhe është hetuar nga tre prokurorë. Një ndër ta ka qenë edhe Arben Dyla, i cili e ka mbajtur në sirtar për më shumë se dy vjet. Më pas ai u zëvendësua se “kishte zvarritur hetimet”, por faktoi se dokumenti ishte falsifikuar.
Çështjen është hetuar edhe nga prokurori Indrit Bimi, i cili doli me një vendimmarrje, ku sërish provoi falsifikimin.
Pra, të gjitha institucionet pranonin se dokumenti ishte i falsifikuar, por askush nuk vepronte për ta asgjësuar. Pas 26 vitesh, Gjykata e Lushnjes veproi, duke urdhëruar pikërisht asgjësimin e këtij dokumenti që ndodhej në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, pas denoncimit që u bë nga Fiks Fare.
Top Channel