Nga Teatri te Unaza e Madhe, Veliaj prezanton projektet që marrin udhë në 2020: Askush nuk do guxojë të ndalë “orën” e Tiranës

26/12/2019 12:19

Kryebashkiaku Veliaj premtoi se në 2020 në Tiranë do të marrin udhë një sërë projektesh të rëndësishme duke filluar nga projekte si Teatri Kombëtar, Piramida, Unaza e Madhe, zgjerimi i Lanës, Zona Ekonomike në Kashar etj.

Duke folur në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, Veliaj shprehu vendosmërinë për të çuar deri në fund projektet për transformimin e Tiranës.

“Jam i vendosur, unë besoj dhe ju që t’i shkojmë deri në fund çdo projekti që transformon Tiranën dhe e bën atë më të mirë për fëmijët tanë. Megjithatë, kemi parë shpeshherë që për çdo projekt madhor të Tiranës, si dikur, protestat te këndi i lodrave e lodrat te Liqeni apo Sheshin Skënderbej, të ngrihen çeta me individë që duan të ndalojnë punët e qytetit. Tani është bërë si modë: Sa herë ka një punë të madhe në qytet, ngrihet një çetë respektive, e vogël që e kundërshton, në kurriz të shumicës së heshtur që do zhvillimin e Tiranës. Janë të njëjtët që duan të pengojnë zhvillimin, hiqen si të dashuruar pas artit, njëherë si të dashuruar pas mjedisit. Janë të njëjtët njerëz dhe kur vjen fjala për punë, është e fundit që e duan, pasi janë të interesuar vetëm për pengim dhe bllokim”, deklaroi Veliaj.

Veliaj nënvizoi se Tirana po bëhet gati për të festuar 100-vjetorin Kryeqytet, ndërsa siguroi se çdokush që pengon zhvillimin do ketë fatin e Astirit.

“Sot dua ta bëj të qartë se çdokush që pengon zhvillimin do të ketë fatin dhe përfundimin e asaj që ndodhi para pak ditësh te Astiri. Tirana nuk ndalet! Qytetarët duan zhvillimin, duan rrugët, duan Piramidën, duan Teatrin, duan Bulevardin e Ri dhe zhvillimin aty, duan transformim në çdo lagje e çdo cep të qytetit. Askush nuk do të guxojë që të ndalë “orën” e Tiranës”, theksoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë bëri të ditur se të gjithë autobusët ndërqytetas që qëndrojnë te ish Dogana, do të zhvendosen te kthesa e Kamzës, aty ku po shtrohet terreni për t’i hapur udhë ndërtimit të Terminalit të ri, por njëkohësisht edhe vijimit të punës për ndërtimin e Unazës së Madhe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA