Po i afrohemi 1 janarit, që korrespondon me hapjen e merkatos dimërore. Si çdo vit, rreth kësaj kohe, klubet në të gjithë Europën janë vënë në punë për të mbuluar “vrimat e vogla” të zbuluara gjatë pjesës së parë të sezonit.
Disa marrëveshje tashmë janë mbyllur e shumë të tjera janë në proces. Ka shumë emra futbollistësh që duken më shumë jashtë sesa brenda klubeve të tyre dhe gjithçka tregon se ata do të jenë në qendër të vëmendjes. Mariano Díaz, Raúl de Tomás, Lemar, Cavani, Haaland, Aleñá, Brahim Díaz, Vidal, Eriksen, Ibrahimoviç, Todibo… do të jenë emrat më të spikatur të periudhës së ardhshme të transferimit.
Christian Eriksen
“Yllit” danez i përfundon kontrata me Tottenhamin qershorin e ardhshëm, por ai refuzon të rinovojë. As ardhja e José Mourinho nuk e ka bindur mesfushorin, që pret Real Madridin të hidhte në aksion, qoftë në janar duke paguar për kartonin e tij, ose në verë, falas. Ndërkohë, edhe Manchester United është në prittje të zhvillimeve të reja.
Zlatan Ibrahimovic
Sulmuesi suedez sapo ka përfunduar kontratën me Los Angeles Galaxy dhe e ardhmja e tij është një mister. Ibrahimovic konfirmoi se do të kthehej në Itali dhe, megjithëse dukej që Milani e kishte mbyllur marrëveshjen me, nënshkrimi i Carlo Ancelottit me Evertonin mund ta bëjë të ndryshojë mendje. Seria A dhe Premier League janë destinacionet më të mundshme të gjigantit suedez.
Erling Haaland
Zbulimi i këtij sezoni është në qendër të vëmendjes së të mëdhenjve të Europës. Ai do të largohet nga RB Salzburg gjatë muajit janar dhe gara për të fituar shërbimet e tij po bëhet edhe më e ashpër. Edhe pse Manchester United duket në “pole”, Juventusi, RB Leipzig dhe Borussia de Dortmund do të bëjnë gjithçka për të.
Edison Cavani
Uruguajani përfundon kontratën në qershor me PSG. Por realiteti është se Mauro Icardi e ka fituar vendin e titullarit dhe lojtari dëshiron të largohet. Marrëveshja midis sulmuesit dhe “Los Colchoneros” është totale, kështu që thjesht duhet të dakordësohet edhe me klubin parizien për shumën që do të paguhet në janar.
Mariano Díaz
Sulmuesi i Real Madridit vendosi të qëndronte me shpresën se do të fitonte një vend në skuadër, por realiteti është se ai është lojtari i vetëm pa probleme fizike i skuadrës që Zidane nuk i ka dhënë asnjë minutë të vetme në katër muaj konkurrim. Pretendentët nuk mungojnë, por Roma duket se është klubi më i interesuar.
Brahim Díaz
Rasti është i ngjashëm me atë të Marianos. Ai nuk pranoi të huazohej gjatë verës, por numëron vetëm tre grumbullime dhe gjithsej 18 minuta të luajtura deri më tani në këtë sezon.
Arturo Vidal
Kiliani mbulon faqet e para të gazetave italiane. Situata e mesfushorit është e pakëndshme, sepse ai nuk është titullar për Ernesto Valverden. Lojtari tashmë ka treguar pakënaqësinë e tij në më shumë se një rast dhe Interi duket i vendosur për të kënaqur Antonio Conte me nënshkrimin e tij.
Carlos Aleñá
Në verë, Valverde ka paralajmëruar tashmë se kishte një tepricë të mesfushorëve dhe lojtari i akademisë po sheh se rritja e tij është ndalur për shkak të mungesës së minutave. Tani gjithçka tregon se do të largohet nga Barça. Betis dhe Getafe duken klubet më të interesuara për të marrë shërbimet e tij.
Jean-Clair Todibo
Pavarësisht se nuk ka shumë minuta lojë me Barcelonën, qendra franceze ka reputacion të mirë në klubet e mëdha europiane. Barcelona nuk i mbyll dyert për një shitje të mundshme të lojtarit të ri dhe klube të tilla si Bayer Leverkusen dhe Milani do të ishin të lumtur ta pranonin në gjirin e tyre.
Thomas Lemar
Nënshkrimi i dytë më i shtrenjtë në historinë e Atlético Madridit i ka sosur durimin Simeones. Ekipi “rojiblanco” duhet të forcojë sulmin, por në të njëjtën kohë duhet të shesin për të siguruar të ardhura. I sakrifikuari do të jetë ndërkombëtari francez, ndonëse investimi që është bërë për të nuk mund të rikuperohet i plotë. Ekipe të tilla si Lyoni, duket se janë të interesuar të marrin lojtarin.
Raúl de Tomás
U ble me shumë bujë nga Benfica, por po përjeton një makth të vërtetë. Portugezët paguan 20 milionë për sulmuesin, por ai nuk pati besimin e trajnerit Bruno Lage. Futbollisti i formuar te Real Madridi në ndeshjet e fundit ka qëndruar më shumë në stol. Espanyoli do të ishte i lumtur ta rekrutonte.
Top Channel