Paskal Ikonomi, banor nga Durrësi, ankohet për plasaritje në banesë në muret mbajtëse, kryetari i njësisë shprehet “Kur s’ja kemi zgjidhur para një viti nuk do ja zgjidhim tani.
Ishalla nuk bie prapë tërmet, atë lutemi. Qytetari ka të drejtë por le t’i drejtohet prokurorisë”.
Pallati i ndërtuar para viteve 90 rrezikoi të shembej nga tërmeti i nëntorit 2019, por krisjet e tij kishin filluar që një vit më parë. Për shkak të ndërhyrjeve në muret mbajtëse të katit të parë dhe të dytë pallati ka pësuar krisje përgjatë gjithë mureve, sidomos në katet e larta. Nga ekspertët është cilësuar njëherë i banueshëm dhe i është vendosur rrethi jeshil, ndërsa një ekspertizë e dyte doli në një tjetër rezultat duke i vendosur rrethin e verdhë.
Paskal Ikonomi banor i lagjes 6 në Durrës i ankohet në Fiks Fare që banesa e tij në katin e pestë, ka pësuar krisje që një vit më parë dhe për shkak të tërmetit ato janë përkeqësuar, sidomos krisjet në murin mbajtës. Këto krisje kanë ardhur si pasojë e ndërhyrjeve në muret mbajtës së katit të parë edhe të dytë. Banorët e këtyre kateve nuk kanë marrë leje për ndërhyrjet që kanë bërë. Pas tërmetit gjendja është përkeqësuar akoma më shumë. Kati i parë ku është furrë buke dhe kati i dytë (ku banon një përmbarues) janë larguar pas tërmetit.
Kryetari i njësisë administrative numër dy u shpreh për Fiks Fare se ankesat e banorit të katit të pestë kanë filluar që para një viti, tërmeti i ka përkeqësuar. “Nëse nuk i është zgjidhur para një viti, mendoni se do t’i zgjidhet tani ?” shtoi ai duke thënë se shpresojnë gjithashtu të mos bjerë më tërmet. Sipas tij qytetari duhet të bëj një kallëzim në prokurori, pasi ankesa e tij qëndron, por ata nuk mund t’ja zgjidhin dot. Gjithashtu ai thotë se banori që ankohet kur ka bërë suvatime në shtëpinë e tij ka marrë leje pranë njësisë. Ndërsa banorët e katit të parë edhe të dytë nuk kanë marrë leje, duke abuzuar me ndërhyrje edhe në muret mbajtëse duke shkaktuar edhe dëmtime në katet e mësipërm.
Top Channel