Ligji shqiptar për riprodhimin e asistuar, pra inVitro, parashikon vetëm situatat kur një çift kanë probleme për të lindur fëmijë dhe kërkojnë ndihmën e mjekut. Ndërkohë sot përballemi me të tjera realitete. Prindërimi tek nënat solo, baballarët solo, çiftet gei ose lezbike, surrogaica etj.

Le të trajtojmë fillimisht nënat solo. Ato janë kryesisht gratë në karrierë që synojnë që të ruajnë vezoret, dhe në një moment të dytë, të nisin procedurat e një fertilizimi inVitro. E njëjta gjë ndodh edhe për gratë që nuk kanë patur mundësi të krijojnë një lidhje martesore dhe po u kalon mosha. Ligji që përmendëm pak më parë, nuk e ndalon dhe as nuk e sqaron se kush mund të jenë ato nëna që mund ta lindin një fëmijë, pa ndihmën e partnerit mashkull.

“Janë mbi 40 vjeç nuk kanë një partner dhe e shohin veten në një situatë emergjente që mosha po ikën, nuk do kemi më mundësi të bëjmë fëmijë me vezët tona s’kemi partner të kërkojmë një dhurues sperme dhe të kem një fëmijë”, – tregon Dr. Orion Gliozheni, Obstetër Gjinekolog.

Fëmijë të tillë kanë lindur tashmë në Shqipëri. Janë me dhjetëra raste të njohura. Por etatistikat zyrtare nuk janë bërë publike.

“Trendi i nënave solo është një trend që edhe Shqipëria po i nënshtrohet me kalimin e viteve gjithmonë po shohim femra solo 35 38 40 vjeç që zgjedhin të kenë një fëmijë nëpërmjet teknikave të fekondimit të asistuar pa pasur një partner, është një trend që në europë ka filluar të konstatohet më herët”, – thotë Dr. Elton Peçi, Obstetër Gjinekolog.

Që të bëhesh sot një nënë solo është shumë e thjeshtë. Mjafton të shkosh në një klinikë, të bësh kërkesën dhe analizat. Ndërkohë sperma porositet në një uebsajt njëlloj sikur porosisim një palë këpucë në internet.

“Pasi grupohen të gjithë pacientët, bëhet porosia në bankën evropiane e spermës në Danimarkë, merret leja e importit në Ministri, në kushte rreptësisht strikte vjen materiali i ngrirë në -195 gradë. Pastaj jemi gati të bëjmë fekondimin”, – tregon Dr. Marsel Haxhia, Embriolog Klinik.

Në faqen e internetit gruaja që dëshiron të bëhet nënë solo ka mundësi të përzgjedh vetë edhe tiparet e fëmijës. Duke zgjedhur tiparet e dhuruesit të spermës.

“Mundohemi të përshtasim grupin e gjakut me çiftin. Pasi kemi kaluar këtë fazë zgjedhim ngjyrën e syve, të flokëve, gjatësisë, peshës, racës etj”, tregon Dr. Marsel Haxhia, Embriolog Klinik.

Procedurat për tu bërë nënë solo nuk janë të vështira. Mjafton të kesh dëshire dhe para. Madje në disa vende kjo procedura mund të bëhet edhe pa nevojën e spitalit.

“Në disa vende gruaja bën porosinë vetë në bankën e spermës, bën pagesën online, i vjen pakoja me të gjitha pajisjet në shtëpi dhe me instruksione. Ajo e përdor dhe ngel shtatzënë”, tregon Dr. Marsel Haxhia, Embriolog Klinik.

Nënat shqiptare që i kanë lindur fëmijët duke blerë spermën jashtë shtetit, nuk duan ti bëjnë publike rastet e tyre. Ato i druhen paragjykimeve. Në fakt paragjykimet janë problemi më i vogël. Problemet e vërteta sociale do të fillojnë të ndihen kur fëmija të rritet.

“Nuk mund të ndaloj një nënë solo apo nënë single të bëjë një procedurë të tillë duke marrë një mostër sperme duke e marrë nga një bankë sperme, nga ana teknike nuk përbën problem, ajo që kam menduar është që ky fëmijë duhet të dijë kush është babai, personalisht është diçka shumë personale për të marrë një vendim, mendoj se e ka menduar shumë mirë, edhe ata që janë solo e kanë menduar vetë sesi duhet ta rrisi këtë fëmijë në këto kushe”, – tregon Dr. Edmon Bizbiqi, Obstetër gjinekolog.

Top Channel