Ky është laboratori i Teknikave për të kryer riprodhimin e asistuar në spitalin shtetëror në Tiranë. Bebet e para duhet të kishin lindur në vitin 2012. Një projekt i Komunitetit Evropian, Adriatik IPA, ka investuar 250 milionë lekë për pajisjet e këtij reparti që do të punonte për Bebe në Epruvetë.

Ish – ministri i asaj kohe, Vangjel Tavo, preu shiritin e këtij laboratori, dhe me pompozitet tha se ky laborator do të niste punën që në 2012.

Ndërkohë laboratori sot është bosh, përveçse pajisjeve ende të paketuara dhe ndarjes së metrave katrorë në sektorë, këtu nuk ndodh fertilizimi in-vitro…nuk ndodh asgjë.

“Ky projekt i iniciuar nga materniteti “Koço Gliozheni”, mbështetur nga Komuniteti Evropian Adriatic IPA, Cross Border Cooperation 2007-2013, është me shumë rëndësi, sepse shënon fillimin e përcaktimit të mënyrave dhe mjeteve, që nevojiten për ta ofruar këtë mundësi në shërbimet tona shëndetësore publike të specializuara, ndonëse, duhet përmendur se është i kushtueshëm”, – Pat deklaruar Vangjel Tavo ish – Ministër i Shëndetësisë

Sot, kanë kaluar plot 7 vjet e gjysmë dhe këtu asnjë çift nuk ka marrë shërbim shëndetësor, as edhe një bebe e vetme nuk ka lindur tek ky laborator. Pajisjet erdhën me pjesë mangët, duke ngritur dyshime për abuzimin me fondet, dhe e dyta spitali nuk kishte profesionistë të vinte në punë procesin e Fertilizimit in-Vitro. Paradoksi është që në spitalet dhe klinikat private ky shërbim ka lulëzuar.

“Ky projekt është tentuar që të vihet në jetë për herë të¸parë me iniciativën time në vitin 2009, nëpërmjet një aplikimi që i kemi bërë Komunitetit Evropian. Më 2013-ën erdhën pajisjet dhe praktikisht qendra ekziston por fatkeqësisht nuk është vënë në punë prej kaq vitesh, sepse nuk janë sjellë të gjitha aparaturat, porositë janë bërë nga njerëz që nuk ishin specialist për këtë gjë, gjërat kryesore kanë ardhur por ka gjëra që mungojnë”, tregon Dr. Orion Gliozheni, Obstetër Gjinekolog.

Top Channel