Conte: Me Genoan ndeshja më e rëndësishme, ta mbyllim vitin në krye

20/12/2019 20:04

Interi do të luajë ndeshjen e fundit për vitin 2019 nesër në orën 18:00 në “San Siro” përballë skuadrës së Genoas, ndërsa trajneri Conte u ka bërë thirrje të tijve të japin maksimumin për ta mbyllur vitin në vendin e parë të renditjes.

“Është shumë e rëndësishme ndeshja e nesërme, pasi është e fundit për këtë vit. Kemi bërë paraqitje mjaft të mira dhe kemi merituar më tepër se kaq, por në momente të caktuara kemi ulur përqendrimin dhe jemi ndëshkuar. Duhet të marrim maksimumin nesër, për të treguar se skuadra di të sakrifikojë dhe përballojë mungesat dhe për ta mbyllur vitin si kryesuese”, deklaroi Conte.

Tekniku foli më pas edhe për situatën me dëmtimet, duke pranuar vështirësitë në mesin e fushës dhe sulm për sfidën e nesërme, ndërsa nuk i kurseu elozhet edhe për dy të rinj si Agoume dhe Espozito, që pritet të nisen nga minuta e parë nesër.

“Dëmtimet na kanë penalizuar disi, por lojtarët kanë treguar se dinë të sakrifikojnë më shumë për të kompensuar mungesat. Nga ana tjetër, për shkak të dëmtimeve janë rritur më shpejt edhe Espozito e Agoume, të cilët e kanë merituar plotësisht debutimin. Presim të rikuperohen një pjesë e mirë e futbollistëve në janar, si Sanchez, Barella e Sensi, që do të na japin një dorë për pjesën e dytë të sezonit”, tha tekniku zikaltër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA