Organizata e Reporterëve pa Kufij thotë se gazetaria mbetet një “profesion i rrezikshëm”, me 49 gazetarë të vrarë këtë vit, 389 të burgosur dhe 57 të tjerë pengje.
Organizata me seli në Paris, që monitoron lirinë e mediave, publikoi të martën raportin vjetor. Në të thuhet se numri i gazetarëve të vrarë në vitin 2019 është “në nivelin më të ulët në 16 vjet”.
Shifra “historikisht e ulët”, krahasuar me një mesatare vjetore prej 80 gazetarësh të vrarë gjatë dy dekadave të fundit, është kryesisht rezultat i rënies së numrit të gazetarëve të vrarë në zona të luftës, thuhet në raport.
“Gjithsej, 17 gazetarë janë vrarë duke mbuluar konfliktet në Siri (10), Afganistan (5) dhe Jemen (2) – krahasuar me 34 vitin e kaluar”, thekson raporti.
Megjithatë, numri i të vrarëve në vendet “në paqe” mbetet aq i lartë sa edhe vitet e kaluara – 10 gazetarë të vrarë u regjistruan vetëm në Meksikë. Raporti thekson se, sivjet, 389 gazetarë kanë përfunduar në burg, 12 për qind më shumë se vitin e kaluar.
Gati gjysma e tyre janë burgosur vetëm në tre vende: Kinë (120), Egjipt (34) dhe Arabi Saudite (32). Deri më 1 dhjetor, ndërkaq, 57 profesionistë të mediave kanë qenë duke u mbajtur pengje – kryesisht në Siri (30), Jemen (15), Irak (11) dhe Ukrainë (1).
Top Channel