Ligj censure dhe kundër fjalës të ri, kështu e konsideron kryeopozitari Lulzim Basha paketën “anti-shpifje” të miratuar sot në Kuvend me votat e 82 deputetëve të mazhorancës dhe opozitës së re.
Basha i bën thirrje presidentit Ilir Meta “të mos e dekretojë këtë atentat kundër fjalës së lirë që rikthen ligjin famëkeq të diktatures për agjitacion e propaganda”.
Miratohet “anti-shpifja”, 82 deputetë votojnë pro në Kuvend
Reagimi i plotë i Lulzim Bashës
Në kulmin e një krize të rëndë ekonomike, të një gjendje të jashtëzakonshme, kur mijëra familje janë në të ftohtë, pa strehë, pa ujë, pa drita, pa ngrohje, Edi Rama me urgjencë miratoi ligjin e censurës.
Sot kur të gjithë e kemi parë dhe dëgjuar se si Edi Rama bleu zgjedhjet me krimin, se si krimi i lidhur me pushtetin po vjedh çdo pasuri te këtij vendi, Rama me urgjencë tenton ti mbyllë gojën gazetarëve shqiptarë.
Sot kur po zbardhet përditë e më qartë përgjegjësia e zyrtarëve të kësaj qeverie për 24 jetët e humbura në Thumanë, me urgjencë miratohet ligji kundër fjalës së lirë.
Sot kur priten te fillojnë hetimet për shitblerjen e votave në Durrës dhe Dibër, për mega skandalin e Unazës së Re, për dështimin e qeverisë në menaxhimin e krizës së tërmeteve të 21 shtatorit dhe 26 nëntorit, miratohet me urgjencë ligji që do ti ndalojë portalet të publikojne këto fakte.
Miratimi i ligjit kundër fjalës së lirë u bë me urgjencë sot sepse qeveria Rama po përgatit vjedhjen e rradhës, kësaj here mbi rrënojat e tërmetit të 26 nëntorit.
I bëj thirrje Presidentit të Republikës të mos e dekretojë këtë atentat kundër fjalës së lirë që rikthen ligjin famëkeq të diktatures për agjitacion e propagandë.
Ky akt i turpshëm dhe kriminal e çon vendin dhe qytetarët shqiptarë shumë hapa pas në rrugën e integrimit europian dhe sjell pasoja të rënda për të ardhmen e tyre.
Partia Demokratike do të vazhdojë të denoncojë me zë dhe me figurë çdo skandal, çdo fakt abuziv, çdo dështim të radhës të këtij kryeministri në ikje!
Ju bëj thirrje të gjithë gazetarëve dhe analistëve, të gjithë opinionistëve dhe personave publikë të mos intimidohen dhe të vazhdojnë bashkë me opozitën të denoncojnë çdo aferë dhe skandal të kësaj qeverie në ikje!
Asgjë dhe askush nuk do na e mbyllë dot gojën!
Top Channel