Pjesë e solidaritetit për të ndihmuar për të dëmtuarit e tërmetit të 26-nëntorit janë bërë edhe nxënësit e shkollave të Tiranës, qindra nxënës i janë përgjigjur thirrjes së kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj, për të dhuruar një pjesë të lodrave, apo mjeteve mësimore për fëmijët e Durrësit, Thumanës, Laçit dhe Lëzhës.
“Jam shumë krenar për çunat dhe gocat e Tiranës, por sidomos të shkollës “Vasil Shanto”. Ata kanë qenë të parët që i janë bashkuar Operacionit “Kutia”. Secili ka marrë një kuti këpucësh, e ka mbushur me dhurata, mjete për shkollën, lapsa, stilolapsa, fletore, çorape, kapuçë, gjëra që duhen për dimër, për çunat dhe gocat, bashkëmoshatarë e tyre në Durrës, në Thumanë, në Krujë, në Kurbin, në Laç, dhe territoret e tjera të prekura nga tërmeti”, tha Veliaj.
Bashkia Tiranës do të kujdeset që çdo kuti e përgatitur të dërgohet në zonat e prekura.
“Ne do t’i mbledhim të gjitha kutitë dhe dhuratat e do t’i çojmë në zonat e prekura, për të treguar se ne në Tiranë, jo vetëm që rikuperojmë shumë shpejt, por jemi gati të ndihmojmë çunat dhe gocat në të gjithë Shqipërinë që kanë nevojë”, shprehet Veliaj.
Bashkia Tiranës tanimë do ta kthejë në traditë operacionin kutia në mënyrë që për festat e fundvitit çdo fëmijë të marrë dhurata.
Top Channel