Pas udhëzimit të miratuar nga Këshilli Bashkiak i Tiranës dy ditë më parë, Bashkia e Tiranës ka nisur aksionin për heqjen e depozitave nga pallatet e shpallura të pabanueshme me vendim të Institutit të Ndërtimit.
Punonjësit e institucioneve të Bashkisë së Tiranës, të ndihmuar nga efektivët e Policisë Bashkiake, që në orët e para të mëngjesit kanë nisur punën për heqjen e depozitave, të cilat për shkak të peshës, rrezikojnë seriozisht pallatet e dëmtuara rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit.
Në rastet kur pallatet nuk kanë dëmtime strukturore, heqja e depozitave të ujit është detyrë e vetë banorëve dhe e administratorit të pallatit. Asambletë e bashkëpronarëve dhe administratorët e pallateve të banimit duhet të marrin masa për lokalizimin dhe vendosjen e depozitave të përbashkëtave të ujit në ambiente të përshtatshme dhe të izoluara. Administratori është përgjegjës për administrimin dhe sigurinë e depozitave të përbashkëta.
Vendosja e depozitave të përbashkëta të ujit, përveç garantimit të sigurisë për jetën dhe shëndetin e vetë banorëve, do të sjellë edhe një mirëadministrim të depozitave dhe furnizimit me ujë. Ku tashmë, jo çdo banor duhet të kujdeset për mirëmbajtjen e depozitës individuale, por sipas rregullave dhe ligjit të bashkëpronësisë, e gjithë tërësia e bashkëpronarëve, nëpërmjet administratorit të përzgjedhur, kujdeset për depozitën e përbashkët të ujit, ashtu siç ndodh në pjesën më të madhe të pallateve të reja të banimit. Bashkia e Tiranës do të mbështesë asamblenë e bashkëpronarëve dhe administratorët për lehtësimin e këtij procesi për vendosjen e depozitave të përbashkëta të ujit, me qëllim dhe garantimin e jetës dhe shëndetit të njerëzve.
Top Channel