Paraditen e sotme u zhvillua mbledhja e parë e Këshillit Koordinues të Diasporës, një takim ky që ka bërë bashkë, në një tavolinë të vetme presidentin e Republikës, Ilir Metën dhe kryeministrin Edi Rama.
Ky i fundit çmoi kontributin financiar të diasporës, sa i takon ngjarjes së 26 nëntorit, ku një tërmet i fuqishëm goditi vendin, pasojë e të cilit ishin 51 viktima, qindra të plagosur dhe dëme të shumta materiale.
“Që në sekondën e parë patëm një mbështetje masive të diasporës, e cila në 30 vitet e transformimit të Shqipërisë ka qenë investitori më i madh në Shqipëri”, deklaroi Rama.
Më tej, kryeministri u shpreh se janari mund të jetë muaji në të cilin do të bëhet publike një faturë paraprake e dëmeve të tërmetit.
“Ne urojmë që brenda janarit të kemi një faturë paraprake financiare të dëmeve të tërmetit, faturimi është një procesi që vazhdon”, u shpreh Rama.
Meta nga ana tjetër tha se dërgesat monetare të diasporës kanë ndikim të pazëvendësueshëm për Shqipërinë.
“Remitancat kanë pasur ndikim të jashtëzakonshëm në ekonominë e vendit, jo vetëm kanë ndikuar në uljen e varfërisë por kanë rritur standardin e jetesës për shumë familje shqiptare duke forcuar edhe sektorin e investimeve private. Dërgesat e diasporës janë në nivele të larta krahasuar me investimet e huaja të drejtpërdrejta dhe mbeten një shtyllë e rëndësishme e zhvillimit të vendit. Në këtë rast, falenderoj komitetin e diasporës në mbarë botën për ndihmën e solidaritetin në fatkeqësinë që goditi vendin tonë në 26 nëntor”, u shpreh presidenti.
Top Channel