Këshilli i Diasporës, Meta: Të bëjmë çdo përpjekje që shqiptarët të ndihen krenarë për identitetin e tyre

18/12/2019 10:48

Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë sot në mbledhjen e parë të Këshillit Koordinues të Diasporës, ku ishin të pranishëm gjithashtu Kryeministri Rama, ministri i Shtetit për Diasporën Majko, ministrat e kabinetit qeveritar Çuçi, Margariti, Klosi, anëtarë të Këshillit, deputetë, drejtuesi i mbledhjes dhe anëtari i Këshillit Bashkiak të Nju-Jorkut, zoti Mark Gjonaj, si dhe përfaqësues të diasporës shqiptare.

Mbledhja e parë e Këshillit Koordinues të Diasporës u mbajt në Ditën Ndërkombëtare e Emigracionit si dhe njëkohësisht në Ditën Kombëtare e Diasporës në Shqipëri. Në fjalën e tij, Presidenti i Republikës u shpreh:

“Është kënaqësi e veçantë të marr pjesë sot në këtë mbledhje të parë të Këshillit Koordinues të Diasporës. Përgëzoj Ministrinë e Shtetit për Diasporës për ngritjen e një strukture të tillë, të përcaktuar me ligj. Ky këshill ka një rëndësi të veçantë pasi dëshmon përfshirjen e përfaqësuesve të diasporës në struktura ekzekutive që merren drejtpërdrejtë me identifikimin real të problematikave, me propozimet dhe zgjidhjen e tyre, si edhe në hartimin e strategjive mbi marrëdhënien me diasporën. Uroj që ky takim i parë i Këshillit Koordinues të Diasporës të vijojë me një sërë arritjesh në zgjidhjen e këtyre problematikave që ndesh diaspora jonë, por edhe mbi masat konkrete të qeverisë shqiptare në bashkëpunim edhe me diasporën në lidhje me situatën e rëndë të shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit! Gjithashtu, sot në Ditën Ndërkombëtare e Emigracionit dhe njëkohësisht Dita Kombëtare e Diasporës në Shqipëri, uroj dhe përshëndes të gjithë emigrantët tanë dhe të gjitha komunitetet dhe diasporën kudo që ndodhen, të cilët vazhdojnë të na bëjnë krenarë duke shpalosur dhe promovuar vlerat e rralla dhe të çmuara të Shqipërisë dhe të kombit tonë, duke i dhënë nder emrit shqiptar përmes shembullit të tyre të punës dhe profesionalizmit në të gjitha fushat.”

Më tej shtoi:

“Historia e Shqipërisë na mëson se në momentet më kyçe dhe më vendimtare të vendit, diaspora ishte shtysa kryesore në arritjen si të Pavarësisë së Shqipërisë’ ashtu edhe në sigurimin e lirisë dhe në avancimin e çështjes kombëtare. Diaspora jonë e hershme, komuniteti arbëresh ruajti për pesë shekuj gjuhën shqipe dhe figurën e Skënderbeut, dhe ishin nismëtarë të Rilindjes Kombëtare, e cila çoi na çoi edhe drejt Pavarësisë. Një kontribut të madh dhe të vyer në të mirë të vendit tonë jep edhe diaspora e re e pas viteve 90-të. Në 30-të vitet e fundit ne jemi një komb që ende emigrojmë. Ky është një fenomen global që ka pasojat e veta pozitive, por edhe mjaft negative dhe një sfidë e vështirë për vende modeste si ky i yni. Ne vazhdojmë të krenohemi me arritjet që kanë shënuar emigrantët shqiptarë në mbarë botën, në të gjitha fushat. Tashmë Diaspora shqiptare ka hyrë në një etapë të re. Shumë përfaqësues të saj janë pjesë e rëndësishme në institucionet shtetërore qendrore dhe vendore në shtetet ku ata jetojnë. Një shembull i tillë i shkëlqyer është vetë i nderuari zoti Gjonaj. Po kështu do të doja të përmendja edhe eurodeputeten që përfaqëson Suedinë, znj. Arba Kokalari, por edhe shumë shqiptarë të tjerë të zgjedhur në institucione qendrore dhe vendore në Gjermani, Itali, Greqi, Norvegji, Suedi, dhe në vendet e BE-së ku jetojnë shqiptarë.”

Për të vazhduar me:

“Kjo është një dëshmi e një hovi cilësor për diasporën shqiptare në politikë dhe qeverisje, por edhe në fushat e tjera si sporti, arti, kultura, shkenca, akademia dhe biznesi, ku shumë shqiptarë kanë arritur të njihen ndërkombëtarisht duke na bërë të gjithëve krenarë. Përgjatë tridhjetë viteve të fundit, remitancat, pra dërgesat e diasporës, kanë patur një ndikim të jashtëzakonshëm dhe të pazëvendësueshëm në ekonominë e vendit. Ato jo vetëm ka ndikuar në uljen e varfërisë, por edhe kanë rritur konsiderueshëm standardin e jetesës për shumë familje shqiptare duke forcuar sektorin e investimeve private. Dërgesat e diasporës edhe sot mbeten në nivele më të larta, të krahasueshme me investimet e huaja të drejtpërdrejta dhe mbeten një shtyllë e rëndësishme e zhvillimit dhe mirëqenies së vendit. Është detyrim i yni, i përcaktuar edhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë për t’i qëndruar sa më pranë diasporës shqiptare të hershme dhe asaj të re. Ndaj duhet të bashkëpunojmë edhe më shumë për të gjetur zgjidhje ndaj problematikave që has diaspora, duke krijuar një klimë edhe më të favorshme për investime të huaj në Shqipëri; duke ndërtuar strategji për ruajtjen e gjuhës shqipe në diasporën e hershme arbëreshe apo arbanaist, por edhe asaj të re, pasi gjuha është ajo që e mban një komb të bashkuar; për ngritjen e qendrave kulturore shqiptare në vendet e tjera; për arritjen e marrëveshjeve me të gjitha shtetet ku ka shqiptarë për njohjen e kontributeve dhe sigurimet e pensionit të emigrantëve të pas viteve 90-të si edhe për forcimin e marrëdhënieve ekonomike edhe me këto komunitete. Shqiptarët janë gjendur gjithmonë pranë njëri-tjetrit në momente të vështira. Edhe pse larg atdheut ata kanë qenë gjithmonë me mendje dhe me zemër pranë të afërme, familjeve dhe bashkatdhetarëve të tyre në tokën mëmë. Shfrytëzoj këtë rast të falënderoj të gjitha komunitetet e diasporës në mbarë botën për ndihmën dhe për mesazhet e solidaritetit për fatkeqësinë natyrore që goditi vendin tonë më 26 nëntor. Shoqata dhe individë të shumtë të diasporës sonë, jo vetëm nga vendet fqinje, por edhe nga Amerika, Kanadaja e deri në Australi, kanë mbledhur ndihma dhe të ardhura në mbështetje të njerëzve të prekur nga tërmeti, duke treguar kështu një solidaritet të rrallë ndaj vendit dhe bashkatdhetarëve të tyre. Unë besoj se ky solidaritet do të vazhdojë deri në shërimin e plotë të pasojave të kësaj fatkeqësie. Kjo fatkeqësi le të shërbejë edhe si moment reflektimi, rindërtimi, rimëkëmbjeje dhe pajtimi për të forcuar bashkëpunimin në interes të qytetarëve tanë, të vendit tonë, por edhe të kohezionit tonë kombëtar. Së fundmi, unë i uroj suksese këtij Këshilli dhe shpresoj që të ndërmerren hapa konkrete dhe të gjendet zgjidhje për problemet dhe vështirësitë që has diaspora, si edhe të krijohet një bashkëpunim edhe më i ndërsjellë, edhe më i fortë, edhe më organik dhe më i dobishëm. Duhet të bëjmë çdo përpjekje që shqiptarët kudo ku ndodhen të ndihen të përfshirë në jetën e zhvillimin e vendit, si dhe krenarë për identitetin e tyre shqiptar.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA