Kalari: Mund të bënim më mirë, me mua luan kush e meriton

18/12/2019 16:36

Reinaldo Kalari e nisi me humbje karrierën e tij si trajner i parë, ndonëse është vetëm përkohësisht në stolin e Partizanit. Tekniku i të kuqve, në përfundim të ndeshjes tregoi emocionet që përjetoi dhe deklaroi se futbollistët e tij mund të bënin më mirë.

Si u ndjetë në këtë debutim si trajner, ndonëse nuk arritët ta nisnit me fitore?
Është ëndrra ime. Kështu erdhi situata dhe sot isha këtu për të bërë maksimumin, siç e kam bërë si lojtar. Gjatë rrugës shikohet a i ke aftësitë apo jo për të bërë një punë të tillë, por më vjen keq që e humbëm ndeshjen në këtë mënyrë, sepse në pjesën e parë patëm 4-5 raste shumë të pastra. Në momentin që nuk shënon, ndodh një rast brenda zonës. E kishim studiuar Teutën dhe e dinim që luante shumë nga krahu. Duhet të ishim treguar më të vëmendshëm, por ky është futbolli.

A mund të bënte më shumë Partizani sot?
Nuk mund të thuash që futbollistët e Teutës ishin më të aftë, ne ishim superiorë ndaj kundërshtarit. Në pjesën e dytë kemi qenë pothuajse gjatë gjithë kohës në gjysmëfushën e kundërshtarit.

Takimi pati edhe shumë raste të diskutueshme…
Nuk dua t’i shikoj rastet e diskutueshme, sepse më krijojnë më shumë shqetësim. Nuk dua ta komentoj fare gjykimin. Le t’i komentojnë analistët.

A ju shqetëson shkëputja e Kukësit?
Nuk e di, edhe Kukësi ka qenë mbrapa nesh. Kampionati është shumë i gjatë. Janë edhe 20 ndeshje. Nuk kemi për çfarë të shqetësohemi.

A ka një plan për të rikthyer gardën e vjetër në formacion?
Klubi, presidenti, drejtori më kanë caktuar të drejtoj skuadër, deri sa të zgjedhin trajnerin e ri. Kam 1 muaj e gjysmë këtu, i kam parë të gjithë, kam vendosur ashtu siç e mendoj unë, bashkë me pjesën tjetër të stafit, duke i dhënë gjithsecilit atë që meriton sipas meje. Për mua brenda fushës nuk ka shok, mik vëlla. Ai që e meriton do futet në lojë. Jam munduar të fus më të aftët për momentin. Puna e “gardës së vjetër” nuk ka shkuar asnjëherë te Partizani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA