Tony Blair ka dhënë sot opinionin e tij mbi lidershipin që ai e quan “komik” të Jeremy Corbyn dhe i cilësoi laburistët si një “kult”, ndërkohë që më në fund edhe pranoi humbjen për sa i takon Brexit-it.
Ish-kryeministri britanik, që fitoi tre palë zgjedhje, ka kritikuar pasuesin e tij që sipas tij e shndërroi partinë në një lëvizje proteste. Ai tha se disfata përballë konservatorëve, javën e kaluar, performanca më e keqe që nga 1935, ishte një burim turpi dhe paralajmëroi se laburistët përballen me shkatërrimin total nëse nuk do të çrrënjosin të majtën ekstreme.
Në një mesazh drejtuar atyre që mbështesnin qëndrimin në BE, Blair i vuri kapak gjithë këtyre viteve përpjekje për të përmbysur brexitin.
“Ne kemi humbur”, tha ai.
Ky sulm i Blair-it, vjen ndërsa Corbyn përballet me presion masiv për të dhënë dorëheqjen pas disfatës në zgjedhje. Blair e kishte paralajmëruar Corbyn se procesi i tij i reflektimit para dorëheqjes si lider, vitin e ardhshëm, do të shkaktojë dëme të pariparueshme nëse do të liheshin në harresë shkaqet e vërteta të disfatës së 12 dhjetorit. Blair, që është i vetmi lider laburist që ka fituar zgjedhje të përgjithshme në 45 vitet e fundit, e mbajti fjalimin mëngjesin e të mërkurës ndërsa publikoi edhe një raport që analizonte dështimin e laburistëve në zgjedhje. Në raport ai kritikonte politikat sektariane ultra të majta që kanë pushtuar partinë, duke fajësuar Corbyn se ka larguar mbështetësit tradicionalë. Sipas Blair, laburistët nuk kanë nevojë vetëm për një shofer të ri, por edhe për një autobus të ri.
Top Channel