Në 21 Shkurt të vitit 1999, drejtësia merr goditjen e parë serioze. Kleanthi Koçi, kryetar i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, ish – gjyqtar dhe një prej njerëzve më autoritar në jurisprudencë, bëhet viktimë e një atentati në qendër të Tiranës.

Në sheshin Skënderbej, shumë pranë atij që njihet si 15-katëshi, dikush i afrohet, i thotë diçka dhe e qëllon 3 herë me pistoletë në trup.

“U takuam dhe duhet të ketë qenë ora 10 apo diçka më shumë, rreth orës 10. Kur ndaheshim meqë shtëpitë i kishim po aty afër dhe u ndamë në drejtime sipas shtëpive. Pa shkuar në shtëpi, kanë ardhur ca çuna të rinj dhe më thanë: “ore Kleanthin e goditen me pistoletë”. Nuk kishte ndonjë shqetësim, pothuajse 90% të çështjeve ne i ndiqnim bashk, dija dhe problematikën e tyre, nuk kishte ndonjë konflikt”, tregon Riza Hicka, Avokat.

Koçi i mbijeton sulmit dhe për 3 javë merr mjekime në spital. Aty, ai është pyetur nga hetuesit dhe se Koçi e kishte njohur autorin, por kishte deklaruar se do të fliste pasi të dilte nga spitali.

“Ai u vra, u vra në mes qytetit të Tiranës, në afërsi të hotelit 15-katëshit, u vra në kushtet që ka patur thonë njerëz rreth e rrotull tij, në vendin ku u vra ai dhe për fatin e keq asnjëherë nuk u zbulua, nuk u tregua, nuk u tha asgjë me rëndësi për vrasjen e tij”, Fehmi Abdiu, ish – gjyqtar.

Gjendja e tij shëndetësore u përmirësua ndjeshëm. Madje, ai u ngrit në këmbë. Nuk dihet se në çfarë rrethanash u vendos që ai të nisej në Itali për kurime të tjera, pasi mjekët kishin deklaruar se kaloi rrezikun.

“Ministria e Drejtësisë e Italisë çoi një avion ta merrte. Dhe avioni vjen në Rinas. Në Rinas ndodhi diçka që e mora vesh më pas, ish shefi i policisë në Rinas që u vra më pas, Gani Mluashi, ishte shef në Rinas, ndonëse ky piloti avionit i thoshte ma lë se doktori s’kishte vizë, se udhëtohej me viza në atë kohë. Ma lër se e marr përsipër unë, se në Itali i përgjigjem unë, e marr përsipër unë, ai e vonoi 3-4 orë”, tregon Riza Hicka, Avokat.

Sapo avioni ngrihet, fatkeqësisht Kleanthi Koçi pëson një komplikacion dhe ndërron jetë. Vdekja e tij e papritur ngriti shumë pikëpyetje dhe hipoteza në shtypin e kohës.

“Unë jam interesuar dhe kam lexuar aktin e ekspertimit të Italisë, s’ishte vdekje nga zemra. Plaga që kishte marrë në bark s’kishte lidhje”, tregon Riza Hicka, Avokat.

Kush i trembej Kleanthi Koçit dhe pse e donin atë të vdekur? Pasi u bë avokat, ai pati pak çështje penale në dorë. Koçi, kryesisht po trajtonte dosje që lidheshin me konflikte pronësie. Dhe kjo ishte pista kryesore ku aso kohe hetuesit janë fokusuar.

“Kishte 2-3 çështje të mëdha, një në Stamboll, në Turqi, njërën në Vlorë me dy mbiemra që unë i njihja edhe si familje kush ishin në Vlorë, bëhej fjalë për ca pasuri në ujë të ftohtë, këto ishin në përgjithësi, ëëë ishte dhe kjo e famailjes Pazari këtu”, tregon Riza Hicka, Avokat.

Si avokat, ai qëndronte larg simpative politike. Kleanthi Koçi i kishte shërbyer Nexhmije Hoxhës, por edhe Lega Zogut.

Vrasja e tij mbetet ende mister sot e kësaj dite. Në atë kohë, ishte një krim që tronditi rëndë mbarë opinionin. Ishte i pari njeri i rëndësishëm i drejtësisë që ekzekutohej.

Top Channel