Trazirat e 14 Shtatorit të vitit 1998, zhytën edhe njëherë në kaos vendin. Prokurorët që po hetonin ishin marrë në mbrojtje. Por, kjo nuk ishte e mjaftueshme. Njëri prej pjesëtarëve të grupit hetimor, dhe familja e tij i shpëtuan mrekullisht një atentati. Bujar Himçi, ishte Drejtor i Hetimit të Krimit të Organizuar në Prokurorinë e Përgjithshme. Në derën e banesës së tij qëndronte i armatosur një rojë.

Një mbrëmje nëntori, në vitin 1998, dikush hedh një granatë nga dritarja, brenda banesës. Fati ishte me ta. Granata nuk shpërtheu. Tronditja ishte tepër e madhe për atë akt që nuk kursente familjen dhe fëmijët e prokurorit. Ne tentuam të zhvillojmë një intervistë me Himçin por ai nuk preferonte ta risillte në kujtesë këtë ngjarje të hidhur të jetës së tij. Gazetari dhe studiuesi Roland Qafoku, hedh dritë mbi një takim që ka pasur aso kohe me Himçin pas ngjarjes.

“E mbaj mend që ishte shumë i shqetësuar, i shpërfytyruar nga ajo që kishte ndodhur, s’po pyes për vete thoshte por për familjen”, tregon Roland Qafoku

Në vendngjarje u sekuestrua granata e pashpërthyer. Nuk dihet nëse pati ndonjë emër të dyshuari, por dihet që sot e kësaj dite askush nuk është akuzuar apo dënuar. Pista kryesore që u ngrit lidhej me çështjet që Himçi kishte në hetim. Ai, ishte një prej prokurorëve për ngjarjet e 14 Shtatorit 1998 dhe kishte marrë shpesh herë kërcënime të hapura.

Më vonë, Himçi do të ngjitej deri në postin e zëvendësministrit të Brendshëm. Në vitin 2002, ai së bashku me drejtorin e Policisë në atë kohë Veli Myftari do të arrestoheshin për të ashtuquajturin skandali i tenderit të pasaportave. Himçi u akuzua për shpërdorim detyre e falsifikim dokumentesh dhe shkelje të barazisë në tendera.

Në Gjykatën e Lartë, ai u shpall fajtor vetëm për akuzën e dytë. Himçi, në një intervistë që do jepte disa vite pas arrestimit do të shprehej se akuzat ishin politike dhe se gjykata vërtetoi që nuk ishin shpërdoruar paratë. Gjatë kësaj interviste, Himçi tha se njerëzit e Sali Berishës i hodhën granatë sepse kërkuar që ish Presidenti i asaj kohe, të paraqitej në prokurori për ngjarjet e 14 Shtatorit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA