Rruga Ersekë – Leskovik është vetëm 42 km e pavarësisht kësaj për të udhëtuar nga njëri qytet në tjetrin duhen me orë të tëra.
Gjendja e rrugës është amortizuar nga viti në vit, ndërsa në segmente të caktuara është e vështirë për të kaluar si pasojë e degradimit. Pavarësisht kësaj për banorët e Leskovikut por edhe turistë e vizitorë që udhëtojnë në këtë rrugë ajo mbetet shumë e rëndësishme, por gjendja e degraduar ka bërë që të frekuentohet shumë pak.
“Vij nga Bosnja, kalova në Serbi, Mal të Zi, shkova në Shkodër, Sarandë e më pas këtej. Rruga këtu është shumë e keqe, e dëmtuar në çdo pjesë edhe pse është shumë e shkurtër, por mua më pëlqen natyra. Ka shumë male, lumenj ama rruga është e tillë dhe pavarësisht se për mua nuk është problem m’u desh të eci me ngadalë”, shprehet një turist.
Ky aks lidh jo vetëm Ersekën me Leskovikun, por përgjatë tij shtrihen edhe disa prej peizazheve më të bukura të Gërmenjit, Sotirës apo edhe të tjera. E pavarësisht kësaj ndërhyrjet në rrugë janë të pjesshme, bëhen vetëm disa mbushje gropash të cilat hapen përsëri sapo nis dimri duke bërë që segmenti të mbetet përsëri i degraduar dhe i vështirë për t’u përshkuar.
Top Channel