Ndërsa në vendin tonë ende nuk ka mbërritur i ftohti i acartë dimëror, në Milano të Italisë nisi bora e parë e sezonit. E premtja solli një stuhi të fortë në disa pjesë të vendit fqinj. Kushtet atmosferike detyruan mbylljen e shkollavë ne Romë e Napoli.

E mbiquajtur “ Santa Lucia”, sipas emrit të shenjtores që kujtohet në 13 dhjetor, stuhia pritet të shkaktojë probleme përgjatë gjithë orëve në vazhdim.

Mes erërave të forta dhe reshjeve të dendura të shiut që kanë pushtuar rajonet jug-perendimore, qytetarët janë këshilluar të tregojnë kujdes. Trafiku ka qenë i rënduar gjatë ditës në kryeqytet, ku rrugët u mbushën me ujë.

Kryetarja e bashkisë, Virginia Raggi, ka bërë thirrje të shmanget sa më shumë që të jetë e mundur udhëtimi.

Në Milanon që u zgjua këtë mëngjes e zbardhur nga bora, autoritetet i kanë kërkuar banorëve t’i lënë makinat në shtëpi e të hedhin kripë në rrugën përpara banesave të tyre.

Edhe në disa qytete të tjera ka pasur reshje dëborë por më të lehta, ndërsa sasia e saj ka qenë më e madhe në pjesën e Alpeve, përfshire liqenin Como. Flokë debore u raportuan deri në Toskanë, ku zonat e goditura në fillim të javës nga një tërmet, u përballën edhe me shi të ngrirë.

Departamenti Italian i Mbrojtjes Civile paralajmëroi për erëra të forta në zonat jugore dhe qendrore te Italisë, ku më të goditurat duket do të të jenë Calabria dhe Puglia. Kushtet atmosferike pritet të zbuten ditën e dielën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA