Komisioni i Ligjeve i Dhomës së Përfaqësuesve rekomandoi sot ngritjen e akuzave ndaj Presidentit Donald Trump, një ditë pas një maratone debati prej 14-orësh të zhvilluar sipas linjave partiake. Ligjvënësit republikanë bënë që debati rreth dy akuzave të zgjatej, edhe pse nuk kishte ndonjë shpresë se mund t’u merrnin ndonjë votë demokratëve.
Anëtarët e Komisionit të Ligjeve vazhduan përplasjet edhe gjatë orëve të vona të ditës së djeshme, ndërsa republikanët u treguan të vendosur të zgjasnin debatin akuzave ndaj Presidentit, megjithëse nuk kishte ndonjë shpresë se mund fitonin ndonjë votë të demokratëve.
“Abuzim me postin, më jep-të jap, rryshfet. Quajeni çfarë të doni. Në fund të ditës, nuk keni fakte që të mbështesni variantin tuaj”, tha ligjvënësi republikan Guy Reschenthaler.
“Presidenti Trump gjendet i akuzuar përpara këtij komisioni për shkak të vetë sjelljes së tij, të mënyrës se si veproi me fondet publike dhe postin, me një çështje private dhe një çështje politike. Pra, për të dëmtuar imazhin e kundërshtarit të tij në 2020-tën”, tha ligjvënësja demokrate Sheila Jackson Lee.
Në akuzën e parë thuhet se Presidenti Trump abuzoi me pushtetin presidencial kur i kërkoi Ukrainës të hetojë rivalin e tij për zgjedhjet e 2020-tës, Joe Biden, ndërkohë që pezulloi në formë presioni paketën e asistencës ushtarake. Në akuzën e dytë thuhet se ai pengoi Kongresin duke bllokuar përpjekjet e Dhomës së Përfaqësuesve për të hetuar veprimet e tij.
Javën e ardhshme, akuzat do t’i dërgohen për votim në plenare Dhomës së Përfaqësuesve.
Presidenti Trump, i cili këmbëngul se nuk ka bërë asgjë të gabuar, beson se do të ketë një shfajësim të shpejtë gjatë procesit gjyqësor në Senat, i cili pritet të fillojë muajin e ardhshëm./VOA
Top Channel