Batha: E parandjeva golin, në derbi bëhemi vetë trajnerë

13/12/2019 22:07

Idriz Batha ishte futbollisti i ndeshjes në derbin Partizani-Tirana, duke shënuar golin e parë pas vetëm 7 minutash dhe duke qenë një digë e vërtetë para mbrojtjes.

Çfarë ndryshoi këto ditë, që u shfaq në fushë një Tiranë kërkuese, por edhe e duruar?
Nuk e di çfarë ndodhi, por e përgatitëm mirë ndeshjen dhe u angazhuam maksimalisht, pasi takime të tilla nuk kanë nevojë për motivim ekstra. E dinim që duhej të përdornim edhe eksperiencën për të shkuar te fitorja dhe ia dolëm.

Jeni i pasi futbollist shqiptar që shënon në “Air Albania”, si ndiheni për këtë?
Ndihem shumë mirë dhe mbrëmë e kisha parashikuar diçka të tillë, pasi u thashë edhe çunave në hotel, që do të shënoj unë golin e parë në atë stadium.

E kishit zgjidhur mirë ndeshjen, duke pritur dhe kundërsulmuar…
Ne në fakt nuk është se bëmë një presing ultraofensiv, por nuk qëndruam gjatë në pritje dhe shpesh herë ishim protagonistë të lojës.

Mos ndoshta Tirana luan më mirë pa trajner?
Trajneri është i domosdoshëm, qoftë ky edhe Egbo. Nuk duhet parë një ndeshje derbi, pasi të tilla takime kanë një motivim ekstra dhe lojtarët bëhen vetë trajnerë.

A ju erdhi keq që dëshpëruat tifozërinë e skuadrës për të cilën keni luajtur për shumë kohë?
Normalisht që më vjen keq, pasi është një tifozëri të cilën e dua shumë dhe më ka mbështetur vazhdimisht. Megjithatë unë jam profesionist dhe i shërbej skuadrës për të cilën zbres në fushën e lojës.

A ka shenja të Memës dhe Ahmatajt në këtë fitore?
Sigurisht që po, pasi të dy na kanë dhënë shumë nga njohuritë e tyre për këtë sport dhe kanë punuar shumë për të ndihmuar skuadrën. Kam marrë edhe një mesazh urimi nga Ardian Mema, të cilin e falënderoj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA