Dërgohet në gjykatë dosja kundër Lulzim Bashës, kryeopozitari akuzohet për “falsifikim dokumentesh”

12/12/2019 16:44

Afatet mbaruan dhe këtë të enjte dosja në ngarkim të kryetarit të PD, Lulzim Basha, Arben Ristanit dhe Ilir Dervishit, u dergua në Gjykatën e Tiranës për gjykim. Dy nga tre prokurorët e çështjes, Gjergj Tako dhe Ervin Karanxha, lanë në fuqi vetëm akuzën për “falsifikim dokumentesh” duke rrëzuar akuzën për “pastrim parash” me arsyetimin se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës lobisti Nik Muzin ishte penduar për çështjen dhe kishte kërkuar garanci që mos merrej në pyetje në Shqipëri për të folur.

Por ky arsyetim është kundërshtuar nga prokurori i tretë, Kol Hysenaj, i cili reagoi dhe çështja shkoi në dorën e drejtuesves së Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj. Kjo e fundit ka vendosur zëvendësimin e prokurorit Ervin Karanxha.

Por për shkak të faktit procedural që nga prokurorët është njoftuar përfundimi i hetimeve, dhe drejtuesi duhet të respektojë pavarësinë e prokurorit, është gjykata ajo që vendos. Drejtuesja e prokurorisë, zonja Imeraj, ka bërë një udhëzim që i udhëzon prokurorët të kryejnë veprime shtesë, siç është pyetja e lobistit Nikolas Muzin. Por ligji parashikon pavarësinë e prokurorit të çështjes. Në pamundësi të cënimit të pavarësisë së prokurorit, Drejtuesi ka përcjellë në gjykatë konstatimet mbi pavlefshmëritë e mundshme, të cilat në bazë të ligjit është gjykata që vendos. Fati i Lulzim Bashës varet tashmë nga gjyqtari paraprak. Në gjykatë siç thonë burime të Top Channel do jenë vetëm dy prokurorë para gjyqtarit paraprak, Kol Hysenaj dhe Gjergj Tako, pasi prokurori i tretë Ervin Karanxha është zëvendësuar nga kryeprokurorja e kryeqytetit Elizabeta Imeraj.

Dosja e cila në publik njihet si ‘dosja për financimet ruse’ nisi pasi Partia Demokratike kishte deklaruar në KQZ shumën prej 500 mijë dollarësh paguar lobistit Nik Muzin në Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë lobisti i kishte deklaruar këto pagesa që ishin bërë edhe nga kompani si Biniata Trade, me pronësi të ndyshimtë. Akuzat politike për financime ruse ndaj PD-së shpërthyen menjëherë ndërsa Basha e mohoi deri në fund. Më 8 nëntor, kreu i PD e komentoi pozitivisht faktin që Prokuroria rrëzoi akuzën për pastrim parash dhe la vetëm atë për falsifikim, por drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës kërkon që t’i shkohet deri në fund çështjes dhe të merret në pyetje edhe lobisti amerikan Nik Muzin.

Si u shmang akuza e “pastrimit të parave”?

Në nisje të hetimit prokurorët kishin në dorë deklarimet se për lobimin e Partisë demokratike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin paguar 650 mijë dollarë për lobistin Nik Muzin, me pagesa që shkonin nga disa drejtime një prej të cilës nëpërmjet një kompania off shoore të quajtur “Biniata Trade” që në një seri lidhjes përfundonin te dy shtetase ruse aktiviteti i së cilave është regjistruar në Belize.

Sipas dokumentit që disponon Top Channel, letra e dy prokurorëve thuhet se sipas përcaktimeve të ligjit shqiptar për pastrimin e parave, nuk ka një vepër penale që ka gjeneruar këto para. Ndërkohë prokurorët kanë në dorë dokumentat të cilat Nik Muzin ka depozituar për paratë e lobimit. Ndërkohë që lobisti amerikan, nën hetim në vendin e tij për këtë çështje, ai është penduar dhe ka vendosur që të flasë por kërkon që mos dënohen në Shqipëri, dhe për ti dhënë këtë garanci, prokurorët shqiptarë kanë vendosur pushimin e akuzës për pastrim parash.

Ja çfarë thuhet shprehimisht në dokumentin e dy prokurorëve Trako dhe Karanxha.

“Së dyti, nga korespondenca e bërë me autoritetet e ndjekjes penale të Shteteve të bashkuara të Amerikës, të bërë nga prokuroria e Tiranës, rezulton se shtetasi Nik Muzin, ka vendosur që të flasë për këtë çështje penale (lobimin e kryer). Autoritetet amerikanë i kanë dhënë garanci se nuk do të ndiqet penalisht në Amerikë ky shtetas në rast se jep deklarime për të zbardhur ngjarjen. Prokurori amerikan ka komunikuar me prokurorinë e Tiranës ku përcjell kërkesën e Nikolas Muzin për të mos pasur përgjegjësi penale në territorin e Shqipërisë në këmbim të dhënies së dëshmisë së plotë me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes”.

Prokurorët arsyetojnë se në këto kushte duhet pushuar akuza për nenin 287, pastrim parash nga Shqipëria që Nik Muzin të flasë lirisht në Amerikë.

  Akuza rrëzoi “pastrimin e parave”/ Nik Muzin u pendua, do flasë, kërkon garanci nga Shqipëria

FOTO GALERI
1/7

Top Channel