Pallati i ndërtuar në qytetin e Durrësit, i cili ka përfunduar në vitin 2010, muret e tij u shembën si brenda apartamenteve ashtu edhe në pjesën e jashtme të godinës.
Këtë pallat e ka ndërtuar një ish deputet i partisë socialiste, Pilo Keri, një person që mban mbi vete edhe skandale të tjera me humbje jetë njerëzish.
“Firma e ka emrin “PIENVIS”, shpk, pronari e ka emrin Pilo Keri, ish deputet i Kuçovës, dikur. Të gjitha muret janë çarë”, tregon Tomor Kreku, banor.
Zoti Pilo Keri, pronari i firmës “Pienvis”, fitoi mandatin e deputetit në vitin 2005 për zonën e Kuçovës. Ai është me profesion arkitekt dhe ka një eksperiencë të gjatë si biznesmen në fushën e ndërtimit.
Pilo Keri mbahet mend edhe për skandalin e aksidentit fatkeq në Kavajë që mori jetën e dy fëmijëve. Me këtë ngjarje zoti Keri ka një lidhje të 3-fishtë.
Së pari karburanti ku ishin hequr trafikndarëset e autostradës ishte në pronësi të tij. Si pasojë e kësaj aksidenti, pati pasoja tragjike duke marrë jetë ne fëmijëve që ishin në makinën e saj. Skandali u thellua akoma më shumë kur u zbulua se “Pienvis”, firma e Zotit Keri, kishte përfituar e një tender 300 milionësh për mirëmbajtjen e aksit rrugor Plepa-Rrogozhinë.
Pra, Pilo Keri ishte edhe pronari i karburantit që kishte hequr trafikndarëset, por edhe pronar i firmës që supozohej ti rregullonte ato. Duke u rikthyer në pallatin e zotit Keri në Durrës, fatmirësisht aty nuk pati viktima nga tërmeti. Por ai u shkatërrua i tëri në pjesën e mureve.
“Është abuzuar, është abuzuar me cilësinë e hekurit, cilësia e betonit, çimentos etj. Po në një vend ky pallati që kemi komshi nuk ka dëme dhe ky i joni është prishur”, rrëfen banori Tomor Kreku
Banorët sot kërkojnë një godinë tjetër. Edhe pse grupet e inspektimin e kanë nxjerrë strukturën e këtij pallati në rregull ata nuk kanë më besim. Sepse jo me patjetër duhet shembur kullona që të marri jetë njerëzish.
“Shtëpia nuk është vetëm kullona, mua mund të më bjeri muri sipër dhe të vrasi. Ose dal unë jashtë me gjithë krevat nga muri. Edhe sikur Zoti të vijë poshtë, ne nuk rrimë më tek ky pallat”, thotë Tomor Kreku.
Top Channel