Top Story/ Kompania “VIKO” e Rustem Korbecit, abuzime me cilësinë rrëzuan muret e brendshme të pallatit në Durrës

10/12/2019 21:18

Zhvendosemi në një tjetër pallat të dëmtuar në zonën e Plazhit. Inxhinierët kanë bërë verifikimet dhe e kanë klasifikuar të pabanueshëm deri në kryerjen e restaurimeve. Dëmtimet janë tepër të rënda në katet e para ku muret e brendshme të banesave janë rrëzuar përtokë.

“Shteti deri tani me sa kemi parë ne ka nxjerrë të pabanueshëm, duket se në strukturën e tij s’ka lëvizje serioze. Probleme ka tek muret dhe trarët, siç tha greku”, tregon Toni Zota, banor.

Pallati është ndërtuar nga kompania “VIKO” SHPK, në pronësi të Rustem Korbecit. Konstatimet e grupit të inxhinierëve tregojnë qartë dobësinë e mureve, gjë e cila është e dukshme edhe nga dikush që nuk është ekspert.

“U prishen muret, ok thanë do ti bëjmë por çfarë sigurie kam unë apo fëmijët e mi që unë do jetoj këtu prap”, – tregon Toni Zota, banor.

“Ne kur bëjmë deklarimin te qytetarët e kemi pyetur mirë veten se jemi si ata në vlerësim, mendojmë sikur banojmë vet aty. Nuk mund të themi futu dhe të kemi rezerva në vetvete se plotësojmë një formular, i firmosim dhe mbajmë përgjegjësi për këtë”, tregon inxhinierja Loreta Hoxha.

A ishte tërmeti aq i fuqishëm sa ka shkaktuar dëme të tilla, apo ka abuzuar ndërtuesi me cilësinë e punimeve?! Le të marrim një shembull konkret. Shumë pranë këtij pallati të kompanisë VIKO, ka edhe godina që nuk kanë pësuar asnjë dëmtim më të vogël.
“Përballë këtij pallati që unë banoj kam biznesin, te pallati që kam biznesin s’ka pësuar asnjë dëmtim, si është kjo punë, a ka abuzuar ndërtuesi këtu, rruga është 20-30 metra në distancë, dy realitete të ndryshme”, tregon Toni Zota, banor.

Pra, mjafton të shikosh godinat përreth që nuk kanë pësuar dëme, dhe ta krahasosh me pallatin e ndërtuar nga VIKO Shpk, me pronësi të Rustem Korbecit. Çuditërisht edhe kjo kompani ka pezulluar aktivitetin dhe sipas Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, është në likuidim e sipër.

Top Channel