Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, i ka cilësuar si të papranueshme deklaratat nxitëse, lidhur me ngjarjet e ndodhura në vitin 1999.
Kjo deklaratë e Ambasadës amerikane, vjen pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq më 5 dhjetor, deklaroi se ngjarjet më 1999 në Reçak “ishin trillim”.
“Retorika nxitëse dhe rishikimi i historisë të së cilës jemi dëshmitarë kohëve të fundit lidhur me ngjarjet e vitit 1999 janë të papranueshme. Gjithashtu, jeni të kujdesshëm në ndjekjen penale selektive të fjalës duke u bazuar në orientimin politik apo komunitetit. Liria e shprehjes ka qenë prej kohësh parimi themelor i demokracisë”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.
Shtetet e Bashkuara thonë se ngjarjet e kësaj jave, që pas deklaratës së presidentit serb, u pasuan me reagime nga zyrtarët në Prishtinë “paraqesin edhe një rikujtim se sa i rëndësishëm është kthimi i Kosovës dhe Serbisë në tryezën e bisedimeve dhe të ripërqëndrojnë energjitë e tyre drejt së ardhmes duke normalizuar marrëdhëniet”.
Në vitin 1999, në Reçak u vranë 45 civilë shqiptarë nga forcat serbe. William Walker, atëherë si shef i Misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, këto vrasje i pati cilësuar si “krim kundër njerëzimit”.
Ngjarja në Reçak kishte nxitur reagime të bashkësisë ndërkombëtare, që ofroi një konferencë ndërkombëtare për Kosovën. Por, Serbia refuzoi të nënshkruante një marrëveshje për ndaljen e spastrimit etnik në Kosovë nga forcat serbe, gjë që çoi në ndërhyrjen e NATO-s mbi caqet serbe.
Top Channel