Kryeministri Edi Rama pas konferencës doli në një deklaratë për shtyp së bashku me presidentin Erdogan ku i pyetur nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu dha më shumë detaje për takimin.

Muhamed Veliu-Zoti Kryeministër, çfarë u arrit gjatë takimit të sotëm në Stamboll?

Kryeministri Edi Rama: Takimi me Presidentin zgjati rreth 3 orë. Paraprakisht folëm për të gjitha aspektet e rindërtimit, garantuam që të kemi të gjitha çadrat e dimrit të nevojshme. Kanë filluar që të instalohen, por të tjera nisen sot. Faktikisht ka qenë një takim pune, sepse gjatë gjithë kohës gjërat thuheshin dhe pastaj bëheshin telefonatat. Kemi përcaktuar disa prej vendeve ku do të ushtrojmë një trysni pozitive. Ai ka kontaktuar vetë në telefon disa lider të rajonit të vendeve myslimane. Gjithçka duket se po shkon në drejtimin e duhur dhe do të vazhdojmë, por, ashtu siç e tha dhe Presidenti, të flasësh për mjaltin nuk ta ëmbëlson gojën, po nuk e preke me buzë, nuk ke bere asgjë.

Muhamed Veliu-Presidenti turk e ka bërë të qartë, që do të ndërtojë 500 banesa. Krahas kësaj dhe krahas fshatrave, a mendoni ndonjë zgjidhje tjetër?

Kryeministri Edi Rama: Për banesat ka filluar puna. Ministrja e Kulturës si koordinatore për çështjen e planifikimit ka mbledhur dhe ekipin e arkitektëve dhe jemi duke përcaktuar vendet.  Kemi identifikuar si më adapt për masën e projektit dhe për të ruajtur koherencën e projektit, zonën e Laçit dhe pastaj mbase një bllok tjetër – në varësi nga nevojat, – rrotull ose gjetkë.

Kjo është ajo që po bëhet. Ndërkohë, ndihma ka qenë e gjithanshme, sepse ne flasim për çadra, por kanë ardhur dhjetëra e dhjetëra njerëz për kërkim- shpëtimin, janë dhjetëra e dhjetëra inxhinierë, aktualisht sot që flasim në Shqipëri, pa folur për  ndihmat e tjera të natyrës materiale, veshje, ushqime e kështu me radhë. Gjithçka që ka të bëjë me këtë fazë është ndërtuar si duhet. Kemi folur me Presidentin edhe për disa nxitje të natyrës strategjike për disa investime që do të shoqërojnë procesin e rindërtimit si investime private, por që janë gjëra që janë në diskutim e sipër.

Muhamed Veliu-A keni marrë një ftesë nga Franca, për të organizuar një samit për të ndihmuar Shqipërinë?

Kryeministri Edi Rama: Kam folur me Presidentin Makron, i cili ka shprehur gatishmërinë për ta mikpritur ai, por kjo është një çështje që do zgjidhet midis tyre, sepse edhe Gjermania ka shprehur interes. Bashkimi Europian, vetë Komisioni do ta koordinojë këtë proces. Kjo do të vendoset se ku do të jetë. E rëndësishme është që të kemi gjithë shtetet në tavolinë dhe ndërkohë, ne po punojmë shumë intensivisht me ekspertët e huaj, për të përgatitur raportin e post-katastrofës, në mënyrë që të kemi shifra konkrete, pastaj do të jenë në tryezën e vendimmarrjes.

 

Top Channel