Në Fletoren Zyrtare është publikuar Vendimi për pezullimin nga detyra të anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Arben Malaj.
Propozimi ka ardhur nga kryeministri i vendit. Në vendimin, që mban datën 3 dhjetor, thuhet:
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 47, të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997, “Për Bankën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave VENDOSI:
Z. Arben Malaj, anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, pezullohet nga kjo detyrë.
Propozimin Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për shkarkimin e z. Arben Malaj nga detyra e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”.
Ndërkohë pas vendimit ka reaguar edhe Malaj i cili në facebook shprehet: Të dashur miq, sapo më njoftuan se qeveria ka vendosur pezullimin tim si anëtarë i Këshillit Mbikqyrës së Bankës së Shqipërisë. Tani do ta kem më të lehtë të përballem publikisht dhe ligjërisht me shpifsit dhe abuzuesit me pushtetin. Falenderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur dhe inspiruar që vendit tim ta shërbej me dashuri, profesionalizëm dhe imtegritet. Sfidat më të paaftet dhe shpifsit i kam fituar përherë moralisht dhe ligjërisht. Asnjë karrike ministrore apo partiake nuk më ka penguar në angazhimet e mia profesionale, shkencore dhe politike. Ju falenderoj!
Top Channel