Kombëtarja shqiptare dhe të gjitha përfaqësueset e tjera evropiane mësuan se si do të jetë rrugëtimi i tyre drejt Botërorit të vitit 2022 që do të mbahet në Katar.
Ditën e mërkurë, Komiteti Ekzekutiv i UEFA miratoi sistemin e ri të këtyre kualifikueseve ku padyshim përfshihen edhe sfidat që do të luhen në Ligën e Kombeve. Sipas këtij vendimi në Botërorin e Katarit do të shkojnë direkt në fazën finale 10 skuadrat fituese të grupeve gjatë fazës kualifikuese dhe 3 skuadrat që do të dalin nga faza e Playoff-it.
Në këtë fazë do të përfshihen skuadrat e vendeve të dyta në të 10 grupet e kualififikueseve dhe 2 ekipet fituese të grupeve të Nations League me renditjen më të mirë dhe që nuk janë kualifikuar direkt nga faza eliminatore ose që nuk janë kualifikuar në playoff si skuadra të vendit të dytë. Këto 12 skuadra do të përfshihen në 3 rrugëtime të tjera me nga 2 gjysmëfinale secila , gjysmëfinale që do të jenë me eliminim direkt. Fitueset e çdo gjysmëfinaleje do të kalojnë në finalet e playoffit, cifte që do të përcaktohen me short. Kjo do të thotë se për të qenë mes 13 ekipeve evropiane të Botërorit të 2022, Kombëtares shqiptare do t’i duhet që të fitojë grupin e saj të kualifikueseve, të jetë mes 10 vendeve të dyta më të mira që të marrë pjesë në fazën e playoff-it, ku mund të kualifikohet edhe nga Nations League një mundësi kjo që në plan të parë duket shumë i vështirë
Ndërkaq, UEFA vendosi edhe datën e hedhjes së shortit për fazën e grupeve të Ligës së Kombeve, event që do të mbahet në 3 mars 2020 në Amsterdam. Sfidat e ligës së Kombeve do të nisin në 3 shtator të 2020 dhe do të mbyllen në 17 nëntor të këtij viti
Top Channel