Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA ka miratuar një projekt-ligj për të kundërshtuar atë që e quan “ndalim arbitrar, torturë dhe ngacmim” të myslimanëve ujgurë në Kinë.
Projekt-ligji bën thirrje për “sanksione të shënjestruara” ndaj anëtarëve të qeverisë kineze – dhe përmend sekretarin e Partisë Komuniste në rajonin autonom Xinjiang, Chen Quanguo.
Projekt-ligji ende ka nevojë për miratim nga Senati dhe nga Presidenti amerikan, Donald Trump.
Ministria e Jashtme e Kinës reagoi me zemërim, duke e cilësuar këtë veprim si “qëllimkeq”.
Votimi bëhet disa ditë pasi presidenti Trump nënshkroi në ligj që mbështet protestuesit pro-demokracisë në Hong Kong.
Projekt-ligji për ujgurët “do të shënonte përpjekjen më të rëndësishme ndërkombëtare për të bërë presion ndaj Kinës mbi ndalimin masiv të tyre dhe minoriteteve të tjera myslimane”, raporton BBC.
Më 25 nëntor disa dokumente të klasifikuara, të dala në publik, tregojnë se si Kina kontrollon jetën e rreth tre milionë njerëzve, të internuar në kampe masive të paraburgimit, në rajonin Ksinjiang.
Dokumentet u siguruan nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativë dhe u publikuan nga 17 media në të gjithë botën.
Qeveria kineze vazhdimisht ka pohuar se kampet në Ksinjiang – rajon i banuar me shumicë ujgure myslimane – ofrojnë arsim dhe aftësim vullnetar.
Qeveria insiston se në këtë mënyrë i mban myslimanët larg ekstremizmit.
Top Channel