Një kritikë e vonuar, por jo e harruar: presidenti amerikan, Donald Trump, “iu lëshua” homologut francez Emmanuel Macron, duke e fshikulluar për komentet e tij në të cilat e përshkroi NATO-n si një organizatë “klinikisht të vdekur”.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se pohimet e kreut të Elizesë ishin një “deklaratë e rëndë”. Duke folur përkrah Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, derisa udhëheqësit e vendeve anëtare, u mblodhën për një samit në Londër, tha se “ju thjesht nuk mund të shkoni vërdallë duke bërë deklarata të tilla për NATO-n”.
Komentet e presidentit Macron u bënë në një intervistë me revistën britanike The Economist, muajin e kaluar. Ai që atëherë ka mbrojtur qëndrimet e tij, duke thënë se aleanca “kishte nevojë për një alarm zgjimi” dhe duhet të përqendrohet në çështje të ndryshme nga shuma e parave që secili anëtar shpenzon për mbrojtjen.
Shpenzimet e mbrojtjes janë nënvizuar vazhdimisht nga presidenti amerikan që kur morri detyrën në vitin 2017 dhe u ankua se Shtetet e Bashkuara po bartin barrën e tepruar financiare. Përveç buxhetit vendet anëtare të NATO-s, tha sekretari Stolteberg, do të diskutojnë për luftën kundër terrorizmit, kontrollin e armatimeve, marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën.
Top Channel