Basha: Teatri Kombëtar dhe Astiri, monumente të qëndresës dhe solidaritetit

04/12/2019 20:04

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka vizituar ditën e sotme “Teatrin Kombëtar”. Ai është shprehur se Teatri Kombëtar dhe Astiri janë monumente të qëndresës dhe solidariteti.

Fjala e Bashës:

Ndjehem thellësisht mirënjohës ndaj jush.

E para që dua t’ju them është se keni një meritë të jashtëzakonshme: Ju e nxorët mbretin lakuriq!Tha që Teatrin do ta rrëzojë tërmeti.  Tërmeti i korrupsionit, i babëzisë; ja ku është Teatri.

E dyta që dua t’ju them është që, për fat të keq, tërmeti i babëzisë, i korrupsionit dhe hajdutërisë, e ka rrëzuar shtetin prej kartoni. Unë po vij nga një fshat 90% e shtëpive të të cilit janë të shkatërruara.

I kam lënë banorët nën qese, me fëmijët nën qese, dhe nuk ka shkuar askush t’i shohë. Pa çadra, pa ushqim, pa kujdes, pa asnjë orientim nga shteti i kartonit që ka rrëzuar tërmeti i babëzisë dhe korrupsionit. Jo tërmeti natyror se atij nuk ke çfarë t’i bësh, por ai i korrupsionit dhe babëzisë ka shkatërruar një shtet të tërë. E pamë sesi i la efektivat tanë duke gërmuar me duart e zhveshura për të shpëtuar jetë, apo si i ka lënë njerëzit në mëshirë të fatit.

Ky është tërmeti i babëzisë, që Teatrin nuk e rrëzoi dot, por për fat të keq, na ka rrëzuar shtetin dhe ka treguar se kemi një shtet prej kartoni.

Kam një keqardhje të madhe edhe si prind, si qytetar, edhe si politikan, kur shoh ata njerëz që i kemi lënë ashtu, i kemi tradhëtuar dhe i kemi lënë në dorë të korrupsionit e të babëzisë.

E treta që dua t’ju them është që ju, Teatri Kombëtar dhe Astiri jeni dy monumentet e rezistencës dhe solidaritetit. Nuk jua them këtë për t’ju dhënë thjesht forcë e kurajo, sepse ju, me këto ndihma që keni mbledhur e që kanë shkuar kudo, në çdo vend, i keni dhënë forcë e kurajo të gjithëve. Por jua them për një arsye fare të thjeshtë. Me gjithë atë presion, sulme, sharje, fyerje , arrestime, goditje që ju kanë bërë ju dhe atyre të Astirit, prapë se prapë, në një ditë të zezë të vendit, treguat sa të madhe e keni zemrën dhe ditët t’i qëndroni afër çdo shqiptari në nevojë.

Fjalët e shumta janë fukarallëk. Kurrë më shumë sesa sot që kemi nevojë për akte dhe jo për fjalë. Aktet tuaja flasin vetë.  Këtu në qendër të Tiranës më duhet të them se ndihma juaj, kudo që kam shkuar, ka bërë diferencën: Do të flinin njerëzit me barkun bosh apo me barkun plot, do të ngrinin nga i ftohti apo do të kishin një batanije apo diçka më shumë për të veshur.

Ju faleminderit nga zemra ju, që e keni zemrën kaq të madhe dhe çdokujt tjetër që ka ndihmuar dhe ndihmon në këtë orë të zezë për mijëra prej bashkëqytetarëve tanë.

Kjo na tregon që, megjithëse shteti prej kartoni është shembur nga tërmeti, prapë kemi një lajm të mirë, që e keni nxjerrë ju, e ka nxjerrë Aleanca për Teatrin, e ka nxjerrë Astiri.

Lajmi i mirë është që ne jemi një familje e fortë! Jemi një komb i fortë! Jemi të gjithë bashkë!

Në raste të tilla ne bëhemi të gjithë bashkë, pa dallime partiake, pa dallime politike.  Ne dimë të qëndrojmë bashkë, edhe kur korrupsioni dhe babëzia na e kanë rrëzuar shtetin prej kartoni, por jo solidaritetin njerëzor, as këtë Teatër dhe as zemrën e këtij Teatri që jeni ju, janë njerëzit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA