Forcat e kërkim shpëtimit e kishin shumë të vështirë pa mjete të specializuara të shpëtonin Klementin.
Në orët e pasdites gjendja e Klementit u rëndua… ai fillojë të rënkojë nga dhimbjet. Tashmë kishte mbi 10 orë i ngecur nënë rrënoja.
Thirrjet e tij tërhoqën vëmendjen e banorëve dhe familjarëve. Ata rrinin të gjithë në ankth, por njëkohësisht kishin ende shpresë.
“Çuni i vogël ka dalë, e kanë çuar tek spitali ushtarak, ndërsa ky i madhi thonë që do ta nxjerrin tani”, tregon hala e Klementit.
Ndërkohë që vazhdonte aksioni për Klementin, një lajm i mirë vinte nga ana tjetër e pallatit të shembur. Sapo ishte nxjerrë e gjallë nga gërmadhat një grua e re. Ajo ishte Lindita Cara. Ishte falë forcave greke që po ndërhynin atje që shpëtimi i saj u bë i mundur.
Tani i vetmi person nën gërmadha me shenja jete ishte Klement Çupi. Nata kishte rënë plotësisht dhe temperatura po ulej ndjeshëm. Po mbusheshin 15 orë që ai ishte nën gërmadha. Aksionin e ndiqte nga afër Ministri i Brendshëm Sandër Lleshi. Pranë Klementit u vendos edhe skuadra greke e shpëtimit ku bënin pjesë mjekë, zjarrfikës dhe forca të ushtrisë. Ata filluan të hapin murin për të pasur akses në pjesën e këmbëve të Klementit nga poshtë. Ndërkohë, familjarët vazhdonin të ishin në pritje dhe të sigurtë që ai do mbijetonte.
“është mirë, tashi do dale, ka shpresë, edhe ne kemi shpresë dhe ai ka shpresë, do shërohet”, thotë Zaim Çupi, xhaxhai i Klement Çupit
Por Klementi kishte filluar të mos fliste më. Ai mbahej me oksigjen dhe mjekët po i bënin injeksione. Situata nuk dukej premtuese. 10 minuta më pas ai ndërron jetë. Trishtimi duket qa rtë në fytyrën e skuadrës së mjekëve dhe të policisë. Klementi humbi jetën….nuk ia doli dot.
“Ata bënë sa mundën por fatkeqësisht djali nuk mbijetoi. Më vjen shumë keq për këtë. Ishte pikërisht në momentin e fundit kur do nxirrej jashtë. Mu në momentin e fundit. Mendoj se ai u rraskapit. Rënkonte gjithë kohës dhe ne fund u dorëzua. Mendoj se ai u rraskapit. Ai thërriste pa pushim: “ Ju lutëm më ndihmoni! Ndihmë! Ndihmë…”, ishte i rraskapitur dhe pastaj u dorëzua”, tregon Panazotis Gr. Carzdis, Inxhinier Civil
Pasi largohen pajisjet dhe forcat e shumta të shpëtimit trupin e Klementit e mbulojnë por nuk e nxjerrin nga gërmadhat. Kur u larguan njerëzit dhe doli pamja më e qartë aty u kuptua edhe se sa keq këmbët e tij kishin ngecur në panelet e betonit.
Një lajm tjetër i keq vinte nga Thumana. Nga kjo familje mbijetoi vetëm vëllai i vogël, Nikolini. Të nesërmen dolën nga rrënojat edhe trupat e prindërve të tyre, Lutfie dhe Hajredin Çupi. Për të fejuarën e Klementit që e priste në Angli, ishte tronditje e madhe vdekja e tij. I vetmi reagim i saj u pa në facebook, ku dhimbja ishte e papërshkrueshme
“Shpirt i shpirtit tim, ti ke qene dhe do te jesh gjithmonë me mua. Gjeja me e bukur dhe me e shtrenjta ime”, shkruan e fejuara e tij.
Top Channel