Klajdi Qato në një rrëfim për Top Story, tregon teksa orët kalonin dhe ai nis të ketë problemet e para shëndetësore. Stresi që shkaktonte situata ku ndodhej dhe ulja e temperaturave ishin problemet kryesore.

“E pyeta çfarë ka nevojë, mu përgjigj, krijova kontaktin për të biseduar, më tha kam ftohtë. Kishte rënie të lehtë të temperaturës 35.5 gradë celsius”, – tregon Greji Malo, mjek.

“Pas gjitha këtyre kisha kurajë që më dha doktori që arrita t’ja dal se një moment mendova se i humba pak shpresat”, tregon Klajdi Qato
“U përpoqëm të vinim linjë, ti jepnim serum të ngrohtë, ishte e pamundur, kështu që vazhduam në kushte tradicionale. I vendosëm kompresa, ujë të ngrohtë me shishe siç e shihni, ia vendosëm në këmbë, kudo ku do kishte kontakt me lëkurën”, tregon mjeku.

Gjatë gjithë kohës, doktor Malo bisedon dhe i jep kurajo të riut.

“Atë që i thashë është që duhet të përsërisë alfabetin, germat e alfabetit, të bëje shumëzime matematikore, të përsëris tabelën e shumëyimit apo të kësaj natyre. Gjatë atij momenti dal jashtë dhe pyes: “Klajdi a je mirë, sa bëjnë 3 x 3?” tregon duke qeshur mjeku.

“Në moment parë e ndjeva që isha mirë dhe duke mos dashur ti përgjigjem pyetjes i thashë e do si Basha apo si Rama që tu tregoja se isha mirë”, tregon duke qeshur Klajdi.

“Ai në asnjë moment nuk u dorëzua psikologjikisht, ka shumë të bëjë në të tilla raste, pasi shumë njerëz edhe pse mund të jenë gjallë, bien në makthin e panikut”, tregon Mjeku.

Ekipi shqiptar i emergjencës përparoi shumë pranë Klajdit duke hapur tunelin por nuk mund të rrezikohej më shumë. Grupet shqiptare nuk kishin as mjetet dhe as eksperiencën e duhur. Aty, mbërriti një grup i ardhur nga Greqia që mori në dorë frenat e operacionit.

“Brenda janë pika, disa pika nevralgjike që mbajnë gjithë, sipër mund të jenë disa tonelata, dhe ndërkohë ti përpiqesh të futesh aty brenda, ja siç e shikoni ky trau metalik këtu krijon kollonë aritificiale, krijohet strukturë inxhinierike më vete, ndërkohë sa futesh duhet vënë kolona të tilla, këto janë artizanale, jo profesionale”, tregon mjeku.

Klajdi u nxorr i sigurt nga rrënojat në orën 1 të mëngjesit të datës 27 nëntor, plot 21 orë pas tërmetit shkatërrimtar. Kjo video e atyre momenteve emocionuese ka bërë xhiron e mediave, dhe u duk se shumë grupe të tjera shpëtimi morën kurajo.

“Mos ti ndodhë kujt ajo që më ndodhi mua, dhe i them çdo njeriu që në çdo moment të keni kurajo se nuk i dihet jetës dhe ajo më mbajti mua të jem sot këtu”, sensibilizon Klajdi

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA