Jetët e humbura dhe pasojat shkatërrimtare të këtij tërmeti do të mbeten gjatë në memorien e shqiptarëve. Por mbi të gjitha do të kujtohen imazhet e viktimave, thirrja e tyre për ndihmë, dhe historitë e tyre. Të tillë personazhe ishin me 10-tra në këtë histori. Ajo që përçoi dhimbjen më të madhe në publik dhe mes atyre që e punuan në teren ishte historia e Klement Çupit. Djalit të ri që qëndroi mbi 15 orë nën rrënoja dhe fatkeqësisht nuk mbijetoi.
Që në orët e para të mëngjesit Klementi thirri për ndihmë dhe u lokalizua nën gërmadha. Lajmi që ai ishte gjallë solli gëzim të madh. Të afërmit e tij filluan të tregojnë historinë e këtij djali. Në fakt Klementi ishte emigrant në Angli ku jetonte me të fejuarën e tij.
Ai kishte ardhur vetëm dy ditë më parë në Thumanë për fejesën e vëllai të vogël Nikolinit. Edhe ky i fundit jetonte si emigrant në Greqi.
“Të dy çunat kanë qenë emigrantë, njëri në Greqi e tjetri në Angli, janë bashkuar parmbrëmë, kan ardhur dhe i zuri tërmeti brenda”, tregon Zaim Çupi, xhaxhai i Klement Çupit
Një grup i forcave Renea, zjarrfikës dhe të forcave të sigurisë së Kosovës qëndronte vazhdimisht pranë këtij djali. Gjendja e tij dukej e mirë. Klementi ndodhej mbi krevatin e tij, ashtu siç kishte qenë duke fjetur gjatë natës.
Me shembjen e pallatit ai kishte zbritur disa kate me poshtë. Këmbët e tij ishin të ngecura nën disa kollona betoni. Ndërsa pjesën e sipërme të trupit dhe duart I kishte të lira. Për fat, aty ku kishte rënë koka e krevatit, ishte dritarja e katit të parë të godinës. Kjo shërbente si hapësirë për të marrë ajër, për të komunikuar dhe për ti dhënë atij ujë dhe ushqim.
Nga komunikimi që bënte me njerëzit, Klementi dukej mirë. Ai kishte kërkuar nga familjarët një cigare, ujë dhe pak ushqim. Të gjithë kishin shpresë se ai do të dilte që aty pa ndonjë rrezik të madh. Por mbi vendin ku ndodhej Klementi qëndronin pezull disa panele betoni të cilat rrezikonin të shembeshin. Ato mbështeteshin mbi njëra – tjetrën deri tek kullona që i kishte kapur këmbët Klementit. Nëse lëvizeshin kullona rrezikonte që e gjithë pjesa tjetër sipër të shembej. Kjo do të ishte fatale për të riun nën gërmadha. Ndërhyrja nga poshtë ishte pothuajse e pamundur. Kaluan disa orë dhe situata nuk po bëhej më mirë.
Ndërkohë pjesa tjetër e familjes, babai i tij Hajredini dhe nëna Lute Çupi nuk kishin asnjë shenjë jete nën gërmadha. Vetëm vëllai i tij vogël, Nikolini kishte mundur që të shpëtojë dhe ishte jashtë rrezikut për jetën në spital.
Top Channel