Vala e solidarizimit me Shqipërinë nuk ka të ndalur. Kancelarja gjermane Angela Merkel i ka dërguar një letër kryeministrit Edi Rama, ku tregon se me shqetësim të madh, ka mësuar mbi tërmetin në Shqipëri, e faktin që ai shkaktoi shumë të vdekur e të plagosur.
“Do të doja t`ju përcillja ngushëllimet e mia më të sinqerta. Mendimet tona janë me të afërmit e viktimave dhe me të lënduarit. E njoh dhimbjen që ju dhe familjet tuaja po përjetoni. Duam t`ju shprehim keqardhjen tonë më të thellë, për ju dhe të gjithë ata që humbën njerëzit e tyre të dashur pas tërmetit.
I urojmë të plagosurve shërim të shpejtë. Gjermania dhe Bashkimi Europian do t`iu mbështesin në një moment të tillë të vështirë”, ka shkruar kancelarja gjermane. Dojce Vele një ditë më parë thoshte se verifikimi i pallateve dhe godinave, që u rrëzuan nga tërmeti i 26 nëntorit duke shkaktuar 50 viktima dhe dëme të mëdha materiale ka nxjerrë në dritë, se ato i përkasin ndërtimeve të pas vitit 1990. Në mënyrë paradoksale ndërtimet e para viteve 1990 kanë rezultuar të qëndrueshme dhe të paprekura nga tërmeti.
Ky fakt flet qartë se kompanitë e ndërtimit, që mbinë si kërpudhat pas shiut në rreth tri dekada post-komuniste nga marzhi i lartë i fitimit, kanë abuzuar në përdorimin e kodeve europiane, të detyrueshme për mbrojtjen nga tërmeti.
Në mënyrë kriminale kompanitë abuzuese kanë përdorur cilësi të ulët të betonit dhe hekurit, për të shpenzuar sa më pak dhe rritur sa më shumë fitimet.
Krahas ndërtuesve të tillë një zinxhir abuzuesish të tjerë: supervizorë dhe bashkiakë që kanë bërë një sy qorr dhe një vesh shurdh kur në godina janë shtuar kate më shumë sesa leja e dhënë nga bashkia duke e bërë godinën vulnerabël ndaj tërmeteve, shkruan DW, duke kujtuar më tej zotimin e kryeministrit Rama në mbledhjen e qeverisë, se abuzuesit do të dalin para drejtësisë.
Top Channel