Shuma e dhuruar nga këngëtarja me origjinë shqiptare Rita Ora për rindërtimin e një shtëpie të shkatërruar nga tërmeti i 26 nëntorit, ka filluar të jetësohet në fshatin Pinar. Përfitues të rindërtimit të shtëpisë së kthyer në gërmadhë nga tërmeti, është familja Sala në fshatin Pinar.

Kryetari i bashkisë së Tiranës që i dha lajmin e mirë familjes me 6 anëtarë, bëri të ditur se shtëpia do të rindërtohet dhe do jetë gati për vitin e ri.

“Rita më tha se ndoshta nuk i ndihmoj dot të gjithë, por një shtëpi do ta bëj. Je e sigurt? – i thashë? Po, – tha – patjetër, do ta bëjmë një shtëpi sepse duke dhënë shembullin personal frymëzon edhe të tjerët, që secili të ndërtojë një shtëpi. E kemi një shtëpi, – i thashë, – në fshatin Pinar, e cila realisht është një shtëpi e këputur. Ajo e pa dhe në darkë më tha: Atë shtëpi do bëj! Ndaj, kemi kontraktuar firmën dhe do fillojmë që sot me prishjen. Rita kishte merak se donte që shtëpia të bëhej gati për Vitin e Ri, ndaj që të bëhet gati më kohë, duhet ta prishim që sot këtë të vjetrën, çfarë ka ngelur prej saj, dhe të nisim punën për shtëpinë e re”- tha Veliaj.

Veliaj i bëri thirrje komunitetit të biznesit dhe personazheve të njohur të jetës publike të cilët kanë mundësi financiare, që të ndihmojnë në kapërcimin e kësaj situate në kohë rekord.

“Ne themi: “Shteti, Shteti”, por shteti nuk i bën dot të gjitha. E tha edhe kryeministri, do bëjmë maksimumin, por të gjithë duhet të japim një dorë, edhe bizneset, edhe këngëtarët, edhe njerëzit që i kanë mundësitë. M’u bë zemra mal, kur Rita më tha se do e marr unë këtë shtëpinë”-vijoi Veliaj.

E zonja e shtëpisë falenderoi kryebashkiakun Veliaj dhe këngëtaren Rita Ora, e cila u sensibilizua dhe vendosi që të sponsorizojë rindërtimin e shtëpisë së shkatërruar nga tërmeti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA