Gjatë mbledhjes së Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, fjalën e mori edhe inxhinieri Arben Meçe, i cili u ndal te dëmet e shkaktuara dhe te përgjegjësitë e qeverisë.
“Zoti kryeministër përgatituni për një dëm mbi 500 mln euro. Edhe 10 mln, edhe 20 mln, 100 mln është hiç përpara dëmit që do të përballojë Shqipëria. Çka do të thotë mobilizimi i kësaj sasie kërkon organizim dhe vëmendja jonë kryesore është të organizohemi që në mënyrë kapilare të zbresin deri tek qytetari. Jemi në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme, kjo do të thotë mobilizim, nuk ka vullnetarë tani. Unë i jam përgjigjur mobilizimit që më mbështeti. Sot nuk ka diskutim për transparencë investimesh, ajo është e padiskutueshme. Nuk duhet ta diskutojmë kurrë. Ajo duhet të jetë e centralizuar dhe të gjithë kemi një gjeneral. Nuk e di kush është, sot kemi ardhur me një letër. Unë duhet të isha në punë. Unë dua detyrën zoti gjeneral, me jep detyrën sepse për atë kam ardhur. Nuk kam ardhur për të treguar sa i ndershëm jam. Sot duhet të nisim punën. Nuk duhet të humbasim asnjë sekondë. Me jep detyrën sepse për atë kam ardhur”, tha Meçe.
Më tej shtoi:
“Koha e zgjidhjes së problemit do të jetë e gjatë. Durrësi është një katastrofë sa i përket dëmit që ka. Unë e kam theksuar, të dallojmë dëmin nga shkatërrimi. Sistemi ynë ndërtimor përballoi me sukses një nga goditjet më serioze që ka marrë Shqipëria deri më sot, por duhet të jemi të vërtetë që aty ka defekt të themi po, ka defekt dhe duhet të jemi prezent me grupet tona të ekspertizës.”
Top Channel