Në një lidhje direkte nga Durrësi, gjatë edicionit të jashtëzakonshëm informativ në Top Channel, ministri Bledi Çuçi deklaroi se situata paraqitet më e qetë dhe se “duhet të bëjmë sa më shpejt dhe sa më me cilësi vlerësimet e dëmeve”.
“Mbyllëm fazën e parë të vështirë të rikuperimit, nxjerrjen nga rrënoja, nga banesat e shkatërruara, tani nis faza tjetër më e vështirë për kohëzgjatjen dhe ekspertizën që kërkon. Tashmë grupet e verifikimit po rriten përditë, përditë kemi inxhinierë që na vijnë nga vende të ndryshme të botës, duke i miksuar me inxhinierë shqiptarë po formohen grupe që ndodhen në terren, thirrje për gjithë banorët të Durrësit dhe jo vetëm: të kenë pak durim se do shkojmë në çdo godinë, banesë për të verifikuar shkallën e dëmtimit. E kuptoj padurimin e tyre, gjithkush do vlerësim kompetent, edhe grupet do shtohen, shumë shpejt do konstatojmë të gjithë banorët që u janë dëmtuar ndërtesat. Kemi filluar prishjen, vetëm sot vetëm në Durrës kemi nisur me gjashtë ndërtesa, prishja është pak proces kompleks, ka pallate që duhen prishur me shumë kujdes, kemi raste që ka nisur prishja sot është ndërprerë do fillojë prapë nesër. Pjesa e prishjes është vënë në rrugë të drejtë, të mbarë dhe shumë shpejt këtë fazë, këtë etapë do ta kalojmë me sukses.”
I pyetur mbi sistemimin e njerëzve në hotele, ministri tha:
“Padiskutim ne vetëm këtu në Durrës kemi shumë të strehuar në hotele, vetëm në hotel janë 1500 banorë ndërkohë që edhe për kërkesat e tjera po marrim masa, para një ore isha në Shijak nga aty u nis një autobus me 45 persona për në një hotel në Shkodër. Ky proces po disiplinohet.”
Çuçi u pyet edhe mbi shembjen e godinave, në një kohë kur duket se prokuroria ende nuk ka fotografuar/fiksuar dhe dokumentuar provat përkatëse.
“Prokuroria ka rrugën e vet. Ne po prishim godina që janë rrezik për gjithë komunitetin. Po prishen godina që rrezikojnë jetën e banorëve, kalimtarëve, ka banesa që kanë dhe shkollë aty afër. Prokuroria ka grupin e saj, nëse ka një vendim për të mos prishuar banesat, ne jemi në rregull. Këto prishen pas një ekspertize të plotë profesionale nga inxhinierë.”
Top Channel