Gjatë fundjavës në Palestrën e SHFMU “Tefik Çanga” në Ferizaj u mbajt turneu tradicional për Ditën e Flamurit për veteran dhe senior.
Pjesëmarrësit e këtij turneu fillimisht nderuan me një minutë heshtjeje 51 viktimat e tërmetit në Shqipëri.
Në kategorinë e veteranëve, morën pjesë rreth 60 pingpongistë nga Kosova, Shqipëria dhe nga Maqedonia.
Në kategorinë mbi 65-vjeç ishin 7 lojtarë të cilët u ndanë në dy grupe, e pas garave secili me secilin, dy më të mirët vazhduan në gjysmëfinale.
Gjysmëfinalen e parë e fitoi Angel Simovski ndaj Jakup Kasapollit, në gjysmëfinalen tjetër Shaip Reçica fitoi ndaj Vehbi Raçit. Në finale pas një ndeshje të fortë, maqedonasi Angel Simovski fitoi me 3:1 ndaj Shaip Reçicës, duke ia mohuar të vetmin titull për këtë vit.
Në kategorinë mbi 60-vjeç morën pjesë 5 lojtarë, ku pas garave secili me secilin, i pari doli Mile Preteski, i dyti Petar Jovanovski, i treti Dimce Taskovski, i katërti Nezir Lokaj dhe i pesti Sadri Hulaj.
Në kategorinë mbi 50-vjeç ishin mbi 20 lojtarë në 6 grupe me nga 4 e 3 lojtarë. Pas shumë ndeshjeve të bukura dhe të forta, në gjysmë finalen e parë Nehat Çitaku mposhti Eroll Boshnjakun, ndërsa në gjysmëfinalen tjetër ‘befasoi’ Vili Angelov që e mposhti Marian Avramovskin 3:2.
Në ndeshjen finale Nehat Çitaku fitoi si në fazën e grupeve ndaj Vili Angelov me rezultat 3:1.
Kategoria më e fortë mbi 40-vjeç kishte numër pak më të vogël se ajo mbi 50, por të gjitha ndeshjet ishin atraktive.
Pas fazës së grupeve Besart Domaniku fitoi ndaj Erxhan Karabaxhakut në të tetën e finales dhe ndaj Jeton Beqirit në gjysmëfinale, në anën tjetër Alimehmet Kaqaniku në të tetën e finales fitoi ndaj Eroll Karabaxhakut dhe ndaj Driton Laskës në gjysmë finale.
Në finale, Besart Domaniku e kontrolloi plotësisht lojën ndaj Alimehmet Kaqanikut duke fituar me rezultat 3:0.
Në kategorinë e çifteve ishin të paraqitura 18 dyshe, ku shumë ndeshje ishin finale para finales, duke ardhur deri në gjysmëfinale e parë ku Marjan Avramovski/Saso Stojanovski fituan 3:2 ndaj Eroll Boshnjaku/Erxhan Karabaxhaku.
Në gjysmëfinalen tjetër, çifti Alimemet Kaçaniku/Jeton Beqiri fituan me 3:1 ndaj Dritan Laska/Nehat Çitaku.
Në finale të pranishmit u mahnitën me llojllojshmërinë e shkëmbimeve dhe angazhimet e të dy çifteve, ku në fund kampion u shpallën Alimemet Kaçaniku/Jeton Beqiri, pasi fituan ndeshjen me rezultat 3:1.
Në garën për senior morën pjesë rreth 100 pingpongistë e pingpongiste nga klubet e Kosovës dhe Shqipëria.
Në konkurrencën e femrave garuan lojtaret më të mira të Kosovës. Në takimet gjysmëfinale Iliriana Haliti e mundi Hanife Zeqirin me rezultatin 3:0, kur Linda Zeqiri, Shega Hashanin, poashtu me 3:0.
Ndeshja finale ishte shumë e bukur dhe me rivalitet të lartë, ku u desh të luhej seti i pestë për t’u vendosur fituesja. Kësaj radhe fitorja i takoi Iliriana Halitit me 3:2 në seta.
Te meshkujt pas ndeshjeve në grupe, në shortin kryesor pati shumë ndeshje të mira dhe interesante, ku pati edhe lojtar nga Shqipëria. Në gjysmëfinale, Rrahman Ademaj i rezistoi Kreshnik Mahmutit, por ky i fundit dëshmoi formën e tij të mirë dhe nuk lejoi që të mposhtet.
Në gjysmëfinalen e dytë Fatih Karabaxhaku ishte më i mirë se Yll Maloku i Ferizajt.
Në finale, të pranishmit në sallë u kënaqën me lojën atraktive dhe cilësore të dy lojtarëve më të mire aktualisht në Kosovë, Kreshnik Mahmutit dhe Fatih Karabaxhakut.
Kreshniku fitoi setin e pare dhe të tretë, kurse Fatihu e barazoi në të dyja rastet dhe në setin e pestë Fatihu krijoi epërsi 6:1 në sete, të cilën e ruajti deri në fund duke fituar 11:5 dhe gjithë ndeshjen me 3:2 në sete.
Top Channel