Në një lidhje direkte nga Restoranti “Fafa Premium”, janë strehuar qindra persona pas tërmetit të ndodhur këtë të martë në Shqipëri me epiqendër Durrësin.

Zëvendëse ministrja e turizmit dhe mjedisit, Ornela Çuçi, në një intervistë për Top Channel, shprehet se në këtë restorant janë strehuar rreth 290 persona, invalidë, gra shtatëzane dhe fëmijë.

“290 persona i kemi strehuar këtu. Kemi sjellë invalidët, fëmijë dhe gratë shtatzëna. Kemi një skuadër të madh mjekësh, kemi psikolog. Kemi sjellë disa punonjës që do të organizojnë lojëra për fëmijët. Është e gjithë Bashkia e Durrësit këtu. Vazhdojmë që të evakuojmë njerëz nga pallatet. Në momentin që e shihni që pallati juaj ka probleme ju lutem mos qëndroni më. Të gjithë jemi shpërndarë në territore për të shpëtuar njerëzit.”, shprehet zëvendëse ministrja Çuçi.

“Ne jemi nga Durrësi, lagjja 13. Ndërtesa 3 katëshe ka marr plasje që në tërmetin e shtatorit, por pas tërmetit tjetër është shembur më shumë. Erdhën dhe verifikuan pas tërmetit të parë dhe nuk thanë asgjë. Shtëpia është e pabanueshme. Do qëndrojmë këtu derisa të rregullohet çdo gjë e prishur dhe të bëhet gjithçka e banueshme. Ne nuk kemi dëshirë ta lëmë atë shtëpi po nëse nuk merr masa qeveria për ta rregulluar unë do iki nuk mund të qëndroj. Ishim para një ore dhe na zuri tërmeti dhe ikëm me vrap duke menduar që as këtu nuk jemi rehat. Na është mbushur mendja që të largohemi nga Durrësi. Mikpritja është shumë e mirë por nuk kemi garanci, jemi afër detit”, shprehet një qytetar i Durrësit.

“Na kapi në gjumë nuk ka gjë më të keqe. Kur dolëm nuk na hapej as dera. Jemi tromaksur bashkë me fëmijët. Edhe këtu nuk kemi siguri, jemi afër detit nuk i dihet”, thotë një zonjë.

“Kemi ardhur mbrëmë, ishte një goditje që nuk besoj që as lufta e tretë botërore nuk do të ishte kaq e rëndë. Shtëpia ime është 2 katëshe, pjesa e murit është çarë, banja ka rënë, nuk e di se si është tashmë gjendja e shtëpisë. Shtabet e emergjencës na sollën këtu duke thënë se jemi më të sigurt dhe jashtë rrezikut. Nuk e dimë sa ditë do të qëndrojmë”, ka thënë banor i lagjes nr.1.

Top Channel