Kostoja më e madhe e tërmetit shkatërrimtar që goditi Shqipërinë mëngjesin e së martës janë dhjetëra jetët e humbura njerëzore. Por pas bilancit tragjik të viktimave, Shqipëria duhet të përballet me një tjetër bilanc, atë të dëmeve të jashtëzakonshme ekonomike.
Të hënën qeveria pritet të mbajë një mbledhje urgjente për të vlerësuar fondet e nevojshme që duhen për të përballuar shpenzimet emergjente të kërkim-shpëtimi dhe strehimin e përkohshëm të banorëve.
Aktualisht këto shpenzime po përballen me fondet përkatëse të institucineve, por për shkak të operacioneve masive mund të duhen para të tjera. Me situatën e shtrënguar të operacioneve masive mund të duhen para të tjera. Me situatën e shtrënguar që po kalon buxhet I shtetit, nëse do të jetë e nevojshme, të hënën qeveria mund të vendos rritjen e deficitit buxhetor të këtij viti përtej nivelit 2 përqind për të marrë më shumë borxh në treg, përcjell gazetari I Top Channel.
Por shpenzimet për operacionet e kërkim shpëtimit dhe strehimi i përkohshëm i banorëve janë zëri më i vogël i faturës financiare të kësaj tragjedie. Pjesa më e rëndë e saj pritet të materializohet vitin e ardhshëm kur qeveria duhet të kompesojë dëmet e banorëve të prekur nga tërmeti.
Dhjetëra pallate të shkatërruara dhe qindra të tjerë të pabanueshëm kanë lënë jashtë mijëra qytetarë. Një burim nga Ministria e Financave tha për Top Channel se sipas vlerësimeve paraprake do të nevojiten ndërtime masive, pjesa më e madhe e të cilave do të përballohet nga buxheti. Ajo që mbetet për tu vendosur është rruga se si do të prokurohet ndërtimi i këtyre banesave. Do të jenë me tender apo përmes procedurave të jashtëzakonshme.
Një ditë më parë qeveria shpalli gjendjen e fatkeqësisë natyrore, e cila imponoj automatikisht ngritjen e komitetit ndërministror të emergjencës civile. Pas tejkalimit të situatës emergjente, ligji e detyron qeverinë që të ngrejë komisionet lokale për vlerësimin e dëmeve. Brenda 15 ditësh këto komisione do të vlerësojnë të gjitha dëmet për familjet e prekura, përfshirë banesat, orenditë, gjënë e gjallë dhe çdo zë tjetër sipas përcaktimeve të ligjit për mbrojtjen civile.
Raportet e vlerësimit i dërgohen automatikisht ministrit përgjegjës për mbrojtjen civile, i cili më pas përgatit projektvendimin për kompesimin dhe ja kalon atë për miratim qeverisë. Masa, procedura dhe kriteret e kompesimit përcaktohen me vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave.
Edhe pse procesi i vlerësimit nuk ka nisur akoma, fatura totale e tërmetit pritet të jetë e rëndë, më e madhja që Shqipëria ka përjetuar ndonjëherë nga fatkeqësitë natyrore. Edhe pse qeveria shpreson të grumbullojë sa më shumë para nga kontributet vullnetare apo ndihmat e donatorëve ndërkombëtar, pjesa më e madhe e faturës do të bjerë mbi buxhetin e shtetit. Dhe gjasat janë që ajo do të lëkundë financat publike të vendit dhe të ndryshojë planet për uljen e borxhit.
Klodian Tomorri
Top Channel