Bashkia e Tiranës i bën thirrje banorëve, shtëpitë e të cilave janë klasifikuar si të pabanueshme, që të zbatojnë udhëzimin për evakuim.
Përmes një njoftimi për mediat, Bashkia e Tiranës bën me dije se pas tërmetit të fuqishëm që përfshiu vendin më datë 26 nëntor, u angazhua menjëherë në terren me të gjithë punonjësit e saj, për të përballuar pasojat dhe ndihmuar qytetarët e prekur. Paralelisht me ndihmën që po u jepet banorëve në nevojë, grupet e punës së Bashkisë së Tiranës po verifikojnë në terren të gjitha banesat private dhe pallatet, për të evidentuar ndërtesat me probleme, të cilat mund të jenë të pabanueshme për shkak të goditjeve sizmike.
Veliaj nënvizon se deri më tani, grupet e punës me përbërje inxhinierë konstruktor, kanë konstatuar se disa godina janë të pabanueshme në Tiranë dhe kanë udhëzuar evakuimin e banorëve. “Por, në 4 pallate, punonjësit e Bashkisë së Tiranës në terren kanë hasur në rezistencën e banorëve, të cilët nuk pranojnë të lënë banesat e tyre dhe të evakuohen në qendrat sociale ose hotele të zonës, sipas udhëzimit të inxhinierëve, për të shmangur çdo rrezik të mundshëm. Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për të liruar menjëherë ndërtesat që janë të klasifikuar si të pabanueshme nga Instituti i Ndërtimit. Pallatet ndodhen në njësitë e mëposhtme:
– Njësia Administrative 11, rruga “Fatmir Gjata”, Kodër Kamëz;
– Njësia Administrative 4, pallati i ish-Konvikteve të Komunales së Tiranës, zona e Alliasit, Godina 1 dhe 2;
– Njësia Administrative 4, pallati nr. 4, rruga “Myslym Keta”;
– Njësia Administrative 6, pallati nr. 160 në rrugën “Llambi Bonata”, zona e ish-Kombinatit”, thuhet në njoftimin e Bashkisë, teksa sqaron se i ka njoftuar dhe ua ka vënë në dispozicion banorëve të pallateve të mësipërme aktet e konstatimeve të Institutit të Ndërtimit, duke bërë rrethimin e zonës dhe vendosjen e perimetrit të sigurisë. Bashkia e Tiranës u bën thirrje të gjithë banorëve të bashkëpunojnë dhe të dalin vullnetarisht nga këto ndërtesa të pasigurta për jetën e tyre, dhe të pranojnë ndihmën e ofruar për strehim dhe ushqim.
Kryebashkiaku Veliaj falënderon të gjithë ata banorë që kanë pranuar të bashkëpunojnë duke u strehuar në ambientet e ofruara nga Bashkia e Tiranës. “Bashkia e Tiranës falenderon të gjithë ata banorë që kanë pranuar të bashkëpunojnë me grupet e terrenit, pasi u është ofruar strehim në qendrat tona sociale ose akomodim në çdo subjekt privat, i cili është ofruar për të ndihmuar në kapërcimin e fatkeqësisë natyrore”, theksohet në njoftim.
Top Channel