Çmenduri në Lecce-Cagliari, 3 kartona të kuq dhe dy gola pas minutës së 80-të

25/11/2019 17:27

4 gola, 2 penallti, 3 kartona të kuq edhe emocione pafund në sfidën mes Lecces dhe Cagliarit që u riluajt këtë të hënë në orën 15:00 pas shtyrjes së të dielës në mbrëmje për shkak të reshjeve të shiut.

Cagliarit, surprizës së vërtetë të këtij sezoni i shpëtoi fitorja nga duart vetëm në minutat e fundit edhe pse kryesonte 0-2 deri në 82-tën falë golave të Joao Pedros me penallti dhe finalizimit shumë të bukur të Radja Nainggolan nga limitet e zonës. Megjithatë një prekje e topit me dorë mbi vijën fatale e Cacciatores në minutën e 82-të bëri që gjyqtari Mariani të akordonte 11-metërsh për Leccen dhe karton të kuq për lojtarin e Cagliarit.

Lapadula rihapi sfidën nga 11-metra distancë por për të marrë topin me shpejtësi ish-sulmuesi i Milanit pati një zënkë me portierin e miqëve, suedezin Olsen, ku të dy u ndëshkuan me karton të kuq.

Në superioritet numerik Lecce ishte shumë më kërkuese dhe në minutën e parë shtesë gjeti golin e barazimit me Calderonin. Me këtë barazim Cagliari u ngjit në kuotën e 25 pikëve po aq sa edhe Roma duke ndarë mes tyre vendin e 4-t, ndërkohë që Lecce ka 10 pikë dhe pozicionohet e 17-ta.

Top Channel